#NeJemiKOSTT


3/31/2021

Minivere Idrizi ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Dega Kimi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1991 si dhe mban titullin Master në Menaxhment dhe Informatikë që nga viti 2013.

Rugëtimin në sektorin e energjisë Miniverja e filloi në  vitin 2000 kur u punësua në Institutin për Hulumtim dhe Zhvillim (INKOS) në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Nga puna si praktikante në Miniverja avansoi tutje me angazhimet e saja në kuadër të INKOS deri në vitin 2012 fillimisht si projektuese përgjegjëse, koordinatore, menaxhere dhe në fund  Kryetare e Bordit drejtues të Institutit.

Është e çertifikuar nga organizata Gjermane e Cilësisë për Menaxhim dhe Auditim të cilësisë DGQ në vitin 2007 si dhe është e certifikuar për standardin e mbrojtjes së mjedisit ISO 14001. Pjesëmarrëse në shumë trajnime e konferenca ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit si dhe e çertifikuar dhe licencuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për Siguri Shëndet dhe Mjedis në vitin 2019. Miniverja gjithashtu  është autore e punimit shkencor ,,Trajtimi i azbestit gjatë renovimit të fasadës së KOSTT” për konferencën ndërkombëtare të CIGRE.

Miniverja filloi punën në KOSTT në vitin 2012 fillimisht si specialiste për mbrojtjen e mjedisit dhe aktualisht mban pozitën Senior Specialiste për Mbrojtjen e Mjedisit.

 

  1. Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Puna prej dy dekadash në sektorin e energjisë, njohja me proceset energjetike duke filluar nga minierat, gjenerimi dhe shpërndarja e energjisë dhe duke ditur efektet mjedisore të cilat ndikojnë në shëndetin e punonjësve dhe të komunitetit më bëjnë përgjegjëse për të vazhduar punën dhe angazhimin profesional në parandalimin dhe zvogëlimin e ndikimeve mjedisore.

Mjedisi sot është sfide globale për shkak të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë. Mjedisi po sfidon vendet më të zhvilluara sepse sot investimet më të mëdha po bëhen në mbrojtjen e mjedisit për shkak te ndryshimeve klimatike. Ne si kompani kemi investuar në krijimin e një sistemi energjetik funksional dhe efikas me ndikime minimale në mjedis dhe shëndetin e punonjësve. Menaxhmenti i KOSTT-it së bashku me Sektorin për siguri, shëndet dhe mjedis jemi të përkushtuar që me angazhimin tone profesional te kontribuojmë çdo dite me te gjitha kapacitetet tona ne mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të punonjësve. Me monitorimin e rregullt mjedisor është arritur që të përmirësohet dhe të eliminohen shumë ndikime të vogla mjedisore.

  1. Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Krijimi i mjedisit të sigurt jetësor dhe mbrojtja e tij, janë çështje vendimtare për shëndetin e punonjësve dhe qytetarëve në zhvillimin ekonomik të vendit. Energjia dhe mjedisi janë faktorë esencialë të zhvillimit të qëndrueshëm. Mbrojtja e mjedisit për shkak të zhvillimit të hovshëm të industrisë dhe teknologjisë  është sfidë globale. Në mesin e disa projekteve të realizuara në mbrojtjen e mjedisit, shëndetit të punonjësve dhe të komunitetit  do të veçoja ,,Matja e intensitetit të fushave elektromagnetike” projekt i realizuar nga Instituti i Mjekësisë së Punës dhe menaxhuar nga unë si projekt menaxhere.

Ka qenë një kërkesë e hershme e Sektorit të mbrojtjes së mjedisit që të realizohet një projekt i tillë i cili do të definoj edhe efektet e FEM në shëndetin e punonjësve tanë dhe mjedisin i cili na rrethon. Projekti ka zgjatur dy vite ku janë bërë matjet e fushave elektromagnetike (FEM) në të gjitha nënstacionet në drejtorinë qendrore dhe në linja me fokus në zona afër banimeve dhe zonave më të frekuentuara dhe të rëndësisë së veçantë. Ka qenë një përvojë e mirë dhe sfiduese në menaxhimin e projektit ku matjet janë bërë në vendbanime të ndryshme ku kureshtja e punonjësve dhe qytetarëve ishte e madhe dhe interesimi për rrezikun e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike dhe ndikimet në shëndet dhe mjedis.

Pas matjeve te kryera dhe rezultateve të dalura nga raportit përfundimtar, si sektor dhe si kompani jemi të kënaqur me investimin dhe përkushtimin tonë, sepse raporti dhe rezultati flasin se matjet e FEM nuk tregojnë impakt në mjedis dhe shëndet të punonjësve.  

 

  1. A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?

Roli i dy gjinive padyshim që është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çdo sektor tjetër.

Gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në sektorin energjetik në Kosovë e as nëpër botë, por gjerat po ndryshojnë çdo dite sepse sot kemi gra shumë të përgatitura në sektorin e energjisë vetëm se duhet dhënë hapësirën dhe mundësinë.

 Sot fuqizimi i gjeneratës së re të grave në fushën e energjisë mbështetet në projektet e shumta ndërkombëtare, dhe KOSTT gjithashtu po mbështet dhe përkrah gratë në sektorin e energjisë dhe promovon barazinë gjinore.

Si profesioniste me përvojë 20 vjeçare në sektorin e energjisë në mbrojtjen e mjedisit inkurajoj gratë që të sfidohen të punojnë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre edhe pse nuk është e lehte në konkurrencë me meshkujt. Avancimi i gruas ne këtë sektor bazuar në edukimin dhe përvojën duhet të përkrahet më shumë në ngritjen kadrovike dhe në vendimmarrje.

 

Thënie për gratë nga Ayn Rand, shkrimtare

“Pyetja nuk është kush do më lejojë mua, por kush do më ndalojë .”


Sylejmon Raçi përfundoi studimet për “Sistemet Elektroenergjetike” në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Pas përfundimit të fakultetit filloi angazhimin profesional me punësimin në KOSTT në vitin 2016 si praktikant inxhinier për operim të tregut dhe falë angazhimit dhe përkushtimit të tij, sot mban pozitën e Inxhinierit specialist për operim të tregut.

  1. Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Duke marrë parasysh rëndësinë aq të madhe të sektorit të energjisë në tërë aktivitetet ekonomike dhe shoqërore, dhe të jem pjesë e këtij sektori kaq të rëndësishëm atëherë ndjehesh i inspiruar për të vazhduar punën në këtë sektor. Po ashtu puna në KOSTT të jep mundësi për të mësuar gjëra të reja për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në sektorin e energjisë.

 

  1. Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Me 14 dhjetor 2020, KOSTT ka filluar operimin si Zonë LFC brenda bllokut të përbashkët me Shqipërinë, i njohur si Blloku LFC AK. Me këtë rast, përveç përgjegjësive tjera, KOSTT ka edhe përgjegjësinë e realizimit të procesit të skedulimit. Gjatë këtij procesi, përmes platformës “KOSTT Scheduling System”, KOSTT pranon dokumentet e programeve të planifikuara ditore nga pjesëmarrësit e tregut të energjisë elektrike në Kosovë, KOSTT shkëmben dokumentet CAS (ang. Control Area Schedule) me operatorët fqinj për të verifikuar dhe harmonizuar të gjitha nominimet ndërkufitare, KOSTT dërgon dokumentin SAX (ang. Scheduling Area Exchange) në Qendrën Koordinuese Swissgrid për të verifikuar dhe harmonizuar net importin/eksportin e planifikuar në kufijtë me OST-të fqinje. Pa dyshim, angazhimi në realizimin pa probleme të këtij procesi të ndjeshëm ka qenë sfidë në punën time profesionale në KOSTT.

 

  1. A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?

Përfaqësimi i dy gjinive në një vend të punës ka efekte pozitive për organizatën për shkak të këndvështrimeve të ndryshme që mund të kenë dy gjinitë në procese të ndryshme të punës. Shumëllojshmëria e këndvështrimeve mund të krijoj kreativitet, inovacion dhe të krijoj mundësi të reja për çdo organizatë. Po ashtu, përbërja e ekipeve nga dy gjinitë rrit bashkëpunimin në grup. Prandaj, kontributi i dy gjinive është shumë i rendësishëm për kompani energjetike dhe për tërë sektorin e energjisë.

Për të përmirësuar diversitetin gjinor, së pari nuk duhet të mendojmë se puna në sektorin e energjisë nuk është e përshtatshme për gra. Përveç organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, edhe kompanitë energjetike duhet t’u ofrojnë mbështetje të vazhdueshme grave për të marrë vendimet e duhura në zhvillimin e karrierës së tyre. Kërkesat për punë duhet të përshtaten me aftesitë që kanë gratë në mënyrë që të rritet numri i aplikanteve për punë ne këtë sektor. Po ashtu, të gjitha kompanitë energjetike duhet te zhvillojnë dhe zbatojnë politika të mosdiskriminimit gjinor. KOSTT është kompani shembull që vazhdimisht kontribon në fuqizimin e rolit të gruas në sektorin e energjisë.