Nënshkruhet Marrëveshja për Kyçje në Sistemin Transmetues të Kosovës edhe i një gjeneruesi të energjisë nga burimet e ripërtërishme


12/13/2019

Në vazhdën e përkrahjes dhe krijimit të mundësive për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike në vend, sot me 13 dhjetor 2019 Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT sh.a z.Ilir M. Shala dhe Drejtori i BondCom z.Enver Cacaj nënshkruan Marrëveshjen për Kyçje në Sistemin Transmetues të Kosovës, të Parkut energjetik me erë “Budakova”. 

Ky Park energjetik do të kyçet në rrjetin e tensionit të lartë 110 kV si dhe do të ketë kapacitet të instaluar gjenerues prej 46 MW.  

Pas shqyrtimit të aplikacionit nga KOSTT dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për Kyçje në Sistemin Transmetues, Parku Energjetik me erë “Budakova” do të ndërtohet në Komunën e Therandës dhe pritet që të fillojë me gjenerimin e megavateve të parë në fund të vitit 2022.    

Në harmoni me objektivat e Strategjisë shtetërore të Energjisë 2017-2026, investimet e vazhdueshme të cilat i ka realizuar KOSTT në Sistemin Transmetues gjatë dekadës së fundit, kanë krijuar kushte të favorshme për akomodimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike dhe njëherit përkrahjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme në rrjetin transmetues.