U mbajt mbledhja konstituive e përbërjes së re të Bordit të Drejtorëve të KOSTT


7/21/2020

Sot më 21 korrik 2020, në Selinë Qendrore të KOSTT-it u mbajt mbledhja konstituive e Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, konform vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr.07-V-023, për pëzgjedhjen e Bordit të Drejtorëve të KOSTT, e cila u miratua me datë 10 korrik 2020, me përbërje nga Kryesuesi i Bordit z. Jeton Mehmeti, dhe anëtarët z. Arben Dodaj dhe z. Nebih Zariqi. Sipas pozitës dhe funksionit Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it z. Ilir M. Shala është po ashtu anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe me këtë përbërje Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it është funksional. Anëtarët e tjerë pritet të përzgjedhen pas rishpalljes së konkursit nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe përzgjedhjes së tyre nga Kuvendi i Kosovës.

Me këtë rast, pas miratimit të rendit të ditës, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M.Shala informoi Bordin e Drejtorëve me zhvillimet në KOSTT, prej përzgjedhjes së tij në këtë pozitë  01.03.2018 e deri më sot, duke informuar për të arriturat e KOSTT-it në realizimin e objektivave të kompanisë, të arriturat në rrafshin e brendshëm në sektorin e energjisë dhe atë të jashtëm, në raport me pavarësimin energjetik të KOSTT-it dhe operimin e pavarur si Zonë Rregulluese, brenda Bllokut Rregullues Kosovë - Shqipëri, duke përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes historike të krijimit të Bllokut Rregullues Kosovë - Shqipëri si dhe Marrëveshjen tjetër historike KOSTT - ENTSO-E, nënshkruar më 30.06.2020 si dhe me sfidat dhe problemet, që KOSTT është ballafaquar deri më tani.

Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e autorizuar e aksionarit të KOSTT-it, Kuvendit të Kosovës, znj. Learta Hollaj, me ç'rast në fjalën e saj i uroi punë të mbarë Bordit të Drejtorëve si dhe njëkohësisht përgëzoi menaxhmentin dhe gjithë punonjësit e KOSTT-it për të të arriturat në këtë periudhë, duke theksuar se ndërmarrja KOSTT është kompani me reputacion edhe në arenën ndëkombëtare, dhe se këtë frymë të punës, angazhimit profesional dhe konstruktiv të deritanishëm duhet ruajtur dhe avansuar edhe më tutje nga i gjithë Bordi i Drejtorëve, menaxhmenti dhe punonjësit.

Konstituimi Bordit te Drejtorëve, do të ndikojë pozitivisht në zbatimin e obligimeve ligjore dhe atyre të përcaktuara me licencë lëshuar nga ZRrE, si Operator i Sistemit Transmetues dhe Tregut të Energjisë Elektrikë në Republikën e Kosovës, në funksion të operimit të sigurtë dhe të besueshëm të Sistemit Transmetues të Energjisë Elektrike në Kosovë si dhe mbarëvajtjen e proceseve, nëpër të cilat po kalon KOSTT.