Koordinimi dhe bashkëpunimi në mes të institucioneve, thelbësore për funksionimin dhe përparimin e sektorit të energjisë


1/19/2021

Pas fillimit të operimit të pavarur të KOSTT si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E, si dhe jetësimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Mustafë Hasani me bashkëpunëtor, takoi udhëheqësit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) në krye me u.d të Kryesuesit të Bordit z.Izet Rushiti, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në krye me u.d.Kryeshefin Ekzekutiv z.Luigj Imeri, Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Alper Erbas.

Në kuadër të takimeve të zhvilluara, z.Hasani ndau mirënjohje për ZRrE, KEK, KEDS dhe KESCO, në shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme në këto procese të rëndësisë primare për të ardhmen e sektorit të energjisë në Kosovë dhe KOSTT-in në veçanti.

“Koordinimi dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm që mbizotëron në mes të institucioneve tona, si hallka të domosdoshme në zingjirin e sigurisë së furnizimit dhe funksionimit të sektorit të energjisë elektrike, edhe një herë u dëshmuan të jenë elemente thelbësore në përparimin e mëtutjeshëm të sektorit. U jam shumë falënderues për përkrahjen tuaj për KOSTT gjatë këtyre proceseve të rëndësishme dhe besoj në bashkëpunimin e mëtutjeshëm në mes të insitucioneve tona, gjithnjë në mbështetje të zhvillimit të sektorit që ne përfaqësojmë i cili përbën një sektor të rëndësishëm në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”, theksoi z. Mustafë Hasani, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT.