Shërbimet Telekomunikuese

Fushëveprimi 

Sektori i Telekomunikacionit, duke përfshirë të gjithë gamën e shërbimeve telekomunikuese dhe të informacionit, është njëri nga sektorët shërbyes më të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Shumëllojshmëria e shërbimeve moderne telekomunikuese i ndihmon si kompanive operuese ashtu edhe bizneseve në rritjen e produktivitetit si dhe mundësinë e koordinimit të aktiviteteve.

Në sferën ekonomike, shumëllojshmëria e shërbimeve telekomunikuese, duke rritur produktivitetin, ndihmon në ulje të kostos së shfrytëzimit të shërbimeve dhe njëkohësisht rritje të të hyrave për ofruesit e tyre. Për më tepër, industria e telekomunikacionit siguron një burim të rëndësishëm të punësimit duke krijuar një fuqi punëtore me kualifikim të lartë, dhe kontribuon me një pjesë të rëndësishme të bruto prodhimit kombëtar.

Në sferën shoqërore, qasja gjithëpërfshirëse drejt shërbimeve telekomunikuese të besueshmërisë dhe kualitetit të lartë, ndihmojnë në ngritjen e pjesëmarrjes më të gjërë të stafit punues dhe të qytetarëve në të qenit të informuar, si dhe lehtësojnë disponueshmërinë e një vargu të gjerë të shërbimeve.

Në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ dhe duke marrë në konsideratë të plotë rekomandimet dhe praktikat e mira të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), me politikat e sektorit të telekomunikacionit dhe rregulloret po promovojnë hyrjen në treg, konkurrencën dhe ambientin jo-diskriminues, zhvillimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike dhe krijimin e kushteve për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Telekomunikacion Nr.2002/7, i ndryshuar me Ligjin Nr.03/L-085, janë krijuar kushtet për liberalizimin e tregut në Kosovë dhe deri më tani janë liberalizuar të gjitha shërbimet telekomunikuese. Ndërsa, Rregullorja e ART për ‘Të drejtën për shteg dhe shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës‘ po inkurajon shfrytëzimin më efikas dhe më ekonomik të infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve.

Broshura Shkarko pdf icon