14 Maj 2018 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT mori pjesë në Forumin Rajonal të OST-ve të Evropës Juglindore

Më 10-12 maj 2018, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT sh.a z.Ilir Shala dhe Drejtori i Operimit të Sistemit në KOSTT z.Sabri Musiqi, morën pjesë në Forumin Rajonal të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (OST) të Evropës Juglindore që u mbajt në Ohër të Maqedonisë.
Qëllimi i Forumit me moto “Kufijtë të bëhen Ura” i cili u organizua nga MEPSO (Operatori i Sistemit të Transmisionit të Maqedonisë) ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i përvojave në implementimin e kërkesave dhe obligimeve që dalin nga Rrjeti Evropian i Sistemeve të Transmisionit (ENTSO-E) dhe Komuniteti i Energjisë për Evropën Juglindore.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Maqedonisë z.Zoran Zaev potencoi rëndësinë e jashtëzakonshme të takimit duke marrë parasysh qëllimin e këtij Forumi për krijimin e tregut të përbashkët dhe përfshirjen e tij në tregun pan-evropian të energjisë elektrike. “Kjo është mënyra më e mirë për të rritur transparencën dhe konkurrencën midis të gjithë pjesëmarrësve të tregut”, theksoi Zaev.
Mbi gjendjen aktuale, planet për zhvillim dhe bashkëpunimin rajonal të Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT sh.a) prezentoi z.Sabri Musiqi-drejtor i operimit të sistemit.

Në Forum morën pjesë udhëheqësit më të lartë dhe ekspertë të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit nga: MEPSO (Maqedoni), KOSTT (Kosovë), OST (Shqipëri), EMS (Serbi), ESO EAD (Bullgari), NOSBiH (Bosne dhe Hercegovinë), ADMIE (Greqi), HOPS (Kroaci), ELES (Slloveni). Gjithashtu, në Forum ishin prezent edhe udhëheqës të ENTSO-E, SCC (Qendra Rajonale për Koordinim të Sigurisë) dhe SEE CAO (Zyra Rajonale për Alokim të Koordinuar të Kapaciteteve Transmetuese Interkonektive).

kshe ilir shala forumi rajonal OST te evropes juglindore

kshe ilir shala forumi rajonal OST te evropes juglindore sabri musiqi