4 Tetor 2017 - Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë zotohen për unifikimin e tregut të energjisë dhe pjesëmarrjen e KOSTT në APEX

Në takimin i cili u mbajt dje më 3 tetor 2017 në Tiranë në mes të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Valdrin Lluka dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë z.Damian Gjiknuri, u diskutua rreth procesit të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike në mes të dyja vendeve, krijimit të bursës shqiptare të energjisë (APEX) si dhe sfidave që po e pengojnë vënien në operim të linjës së re interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në kuadër të takimit, ku pjesë e delegacionit ishte edhe u.d Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Kadri Kadriu, Ministrat Lluka dhe Gjiknuri u dakorduan që të intensifikohen angazhimet e grupeve punuese drejt unifikimit të tregut të energjisë Kosovë-Shqipëri dhe emërimin e koordinatorëve të nivelit politik në kuadër të këtij procesi.
Në kuadër të takimit, gjithashtu u konfirmua pjesëmarrja e KOSTT si aksionare në bursën shqiptare të energjisë (APEX), që është në proces të krijimit si dhe të dy ministrat u dakorduan që të harmonizohen veprimet në drejtim të zhbllokimit të procesit për vënien në operim të linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri, projekt i implementuar në bashkëfinancim me Qeverinë Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).