8 Shtator 2017 - Drejtori i Zyrës Rajonale Evropiane të Departmentit të SHBA për Energji vizitoi KOSTT-in

ud.Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Kadri Kadriu me bashkëpunëtorë, priti sot në takim Drejtorin e Zyrës Rajonale Evropiane të Departmentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Energji z.Dan Milstein i cili ishte i shoqëruar edhe nga zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe të Agjencionit Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Misioni në Kosovë.

Menaxhmenti i lartë i KOSTT e njoftuan z.Milstein lidhur me rolin qenësor që mban KOSTT në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës në mbështetje të sigurisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe investimet e vazhdueshme që po realizohen në infrastrukturën transmetuese të Kosovës në përkrahje të zhvillimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike në Kosovë.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe rreth sfidave me të cilat po përballet KOSTT në proceset e integrimeve në mekanizmat rajonal dhe evropian si dhe rreth progresit të bashkimit të tregut të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri dhe pjesëmarjes së Kosovës në bursën shqiptare të energjisë (APEX), këto të fundit projekte për të cilat KOSTT është përfitues i asistencës teknike të USAID-it.

Me këtë rast, z.Kadriu falënderoi z.Milstein për mbështetjen e vazhdueshme që shteti amerikan është duke i dhënë KOSTT-it përmes USAID dhe njëherit kërkoi përkrahjen e shtetit amerikan për tejkalimin e sfidave në drejtim të fillimit të implementimit të Marrëveshjes për Kyçje me ENTSO-E (European Network of Transmission System Operators for Electricity), si një element qenësor që mundëson ushtrimin e funksionit të plotë të KOSTT si Operator i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës në përmbushjen e obligimeve nga procesi Berlinit i njohur si Iniciativa e Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 Initiative) dhe zbatimin e plotë të reformave dhe integrimin në tregun rajonal dhe evropian të energjisë elektrike.

Delegacioni nga institucionet amerikane gjithashtu vizituan Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT, ku u njoftuan rreth funksionimit të Sistemit Transmetues të Kosovës dhe pengesave për funksionalizimin e linjës së re interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

IMG 6909
IMG 6912
IMG 6921 1
IMG 6931