28 Qershor 2016 - Inaugurohet linja interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

Pas 28 vitesh që kur u ndërtua linja e parë dhe e vetme interkonektive gjer më tani në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sot në Nënstacionin Tirana 2, në praninë e delegacioneve të larta të Qeverive të të dyja vendeve u inaugurua linja ndërshtetërore 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Linja interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Punimet për ndërtimin e linjës në pjesën e Kosovës kanë përfunduar në dhjetor 2015, ndërsa në pjesën e Shqipërisë në qershor 2016.

Në fjalën e tij të rastit, Kryeministri i Kosovës z.Isa Mustafa theksoi se “energjia është shtyllë tepër e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe parakusht i mirëqenies së qytetarëve. Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama me këtë rast theksoi “Inaugurimi i kësaj linje është nisja e një kapitulli të ri për integrimin e të dy vendeve. Sot shohim me krenari sa shumë kemi bërë për t’u afruar dhe për t’i dhënë hapësirës tonë të përbashkët fuqi dhe potenciale zhvillimi, përmes një integrimi të gjithanshëm, duke filluar nga energjia e duke vazhduar në të gjithë sektorët”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se integrimin ekonomik të të dy vendeve tona që po bëhet gjithnjë e më real dhe më i prekshëm, e tregon edhe projekti i sotëm i autostradës energjetike, e cila është në linjë me politikat e Bashkimit Evropian dhe në pajtueshmëri me iniciativën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6).
Financimi i projektit për pjesën e Kosovës është bërë nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila €16.5 milion grant dhe €17 milion kredi. Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Linja interkonektive e tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri përveq ndikimit që do e ketë në ngritjen e kapaciteteve transmetuese në me të dy vendeve si dhe ngritjen e besueshmërisë dhe sigurisë së Sistemit Elektroenergjetik të të dy vendeve, gjithashtu do të ketë ndikim në zhvillimin e mëtejmë të tregut të energjisë elektrike në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe do të ofroj kapacitete të mjaftueshme transmetuese në Bursën e energjisë në Shqipëri PX(Power exchange) për të cilën Kosova ka shpreh gadishmërinë dhe vullnetin të jetë bashkë themeluese dhe pjesëmarrëse.
Në ceremoni morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z.Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, z.Hajredin Kuçi, Ministri i Zhillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë z.Damian Gjiknuri, Ministrja për Dialog znj.Edita Tahiri, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani dhe Administratori i përgjithshëm z.Engjëll Zeqo, përfaqësues nga KfW (Gjermani) dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetëror dhe të institucioneve relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Inaguarimi AL-KS 1

Inaugirimi al ks 2

IMG 5868

buletini nr 13 2017 eng

KOSTT - Një dekadë rrugëtim i suksesshëm

ISO 9001