Kodet Teknike

Kodi i Rrjetit

Kodi i Rrjetit është përgatitur në pajtueshmëri me kërkesat e Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Licencën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, dhe është aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Kodi i Rrjetit mbulon procedurat operative dhe dispozitat që rregullojnë bashkëveprimin ndërmjet OSTT (Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut) dhe shfrytëzuesve të Sistemit të Transmetimit. Ky kod përfshin proceset e planifikimit, kyçjes, operimit dhe balancimit të sistemit në kushte normale dhe të jashtëzakonshme. Procesi i planifikimit operativ përfshin periudhën kohore prej një viti deri në fazën e balancimit në kohën reale si dhe periudhat pas ndodhjes së një ngjarje apo avarie. Kodi i Rrjetit është i obligueshëm për OSTT dhe për të gjithë shfrytëzuesit e sistemit të transmetimit.

Kodi i Matjes

Kodi i Matjes është përgatitur nga OSTT (Operator Sistemi Transmisioni dhe Tregu) dhe është aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Kodi i Matjes përcakton rregulla të qarta për instalimin dhe përdorimin e njehsorëve për t'u siguruar që të dhënat e prodhimit, bartjes dhe konsumit të jenë në dispozicion për të përkrahur barazimin përfundimtar efikas të transaksioneve të energjisë elektrike.

Kodi i Pajisjeve Elektrike

Kodi i pajisjeve elektrike përcakton kërkesat për pajisjet që formojnë pjesë të rrjetit të OSTT dhe për pajisjet e shfrytëzuesve të sistemit në pikën e kyçjes me rrjetin e OSTT. Ky kod ka të bëjë me pajisjet e operimit me tensione nominal 10(20) kV, 35 kV, 110 kV, 220 kV dhe 400 kV që formojnë pjesë të sistemit kryesor të OSTT dhe aty ku është e nevojshme me pajisjet e lidhura me pështjellat terciare të transformatorëve kryesor me tension nominal 10 kV ose 6.3 kV. Aty ku posaçërisht i referohet rrjetit të OSTT, definon kapacitetet dhe kërkesat e përgjithshme për stabilimentet, pajisjet dhe mjetet që do të lidhen me rrjetin e OSTT, nga ose në emër të OSTT, duke marrë parasysh karakteristikat e rrjetit në zonën ku do të lidhet pajisja. Aty ku i referohet pajisjeve të shfrytëzuesit të sistemit, kodi definon kërkesat e përgjithshme për stabilimentet, pajisjet dhe aparatet në pikën e kyçjes ndërmjet rrjeteve të shfrytëzuesit të sistemit dhe të OSTT.

Kodi i Standardeve Elektrike

Kodi i Standardeve Elektrike është dokument që specifikon ndër të tjera standardet e tensionit dhe frekuencës me të cilat operon sistemi energjetik i Kosovës. Ky kod përcakton rregulla të qarta që duhet të ndiqen nga operatori i sistemit të transmetimit dhe nga gjithë shfrytëzuesit e sistemit për të siguruar që prodhimi (gjenerimi), transmetimi dhe konsumi i energjisë elektrike mund të kryhen duke përdorur rrjetin e përbashkët publik të energjisë elektrike.

Kodi i Punës për Qasje në  Toka dhe Ndërtesa

Kodi i punës përcakton mënyrën në të cilën punëtorët e OSTT ose kontraktorët të cilët punojnë në llogari të OSTT zakonisht do t'i qasen tokës dhe/ose ndërtesave kur ata duhet të veprojnë ashtu në procesin normal të punës së OSTT. Ky kod, i zhvilluar nga KOSTT dhe i miratuar nga ZRrE detajon aranzhmanet me të cilat KOSTT do të ketë qasje në tokë ose ndërtesa të cilat ende nuk janë në pronësi ose kontroll të KOSTT kur një gjë e tillë është e nevojshme për qëllime të ndërtimit, ndryshimit, operimit ose mirëmbajtjes së Sistemit të Transmetimit.  Neni 24 i Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, OSTT ka përgatitur  Kodin e Punës për qasje në tokë dhe ndërtesa, në të cilin janë përcaktuar parimet dhe procedurat që do të aplikohen për qasjen e personave të autorizuar në tokë dhe /ose ndërtesa që ka të bëj me ushtrimin e aktivitetit të licencuar.