2 Shkurt 2017 - Menaxhmenti i KOSTT zhvillon takimet përgatitore për implementimin e projekteve që bashkëfinancohen me BERZH

Në kuadër të angazhimeve përgatitore të menaxhmentit të KOSTT për fillimin e implementimit të projekteve, në vlerë të përgjithshme prej € 36.5 milion, të bashkëfinancuara me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), janë realizuar takime me Kryetarët e Komunave, të cilat do të përfitojnë nga ky investim kapital.
Në takimet e realizuara ndaras me kryetarët e komunave të Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Rahovecit dhe Therandës, nga menaxhmenti i KOSTT u njoftuan në lidhje me planet për zhvillimin dhe rehabilitimin e rrjetit të transmisionit, në mbështetje të rritjes së sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike nëpër komunat respektive, si një nga parakushtet kyçe për zhvillim ekonomik.

Në anën tjetër, të gjithë kryetarët e komunave kanë shprehur mirënjohje për KOSTT për realizimin e investimeve të planifikuara si dhe njëkohësisht kanë shprehur zotimin për gatishmëri në dhënien e përkrahjes në proceset përgatitore si dhe gjatë procesit të realizimit të projekteve.
Në kuadër të këtyre projekteve që parashihen të fillojnë zbatimin nga mesi i këtij viti, hyjnë:

Komuna e Prishtinës – Ndërtimi i Nënstacionit të ri 110/10(20) kV - Prishtina 6 me sistemin e stabilimenteve të teknologjisë moderne GIS, instalimi i 2 transformatorëve energjetikë me fuqi nga 40 MVA dhe ndërtimi i linjës së dyfishtë kabllovike nëntokësore të tensionit të lartë 110 kV me gjatësi prej 3.8 km nga NS Prishtina 6 në NS 220/110 kV – Prishtina 4.

Komuna e Fushë Kosovës- Ndërtimi i Nënstacionit të ri 110/10(20) kV – Fushë Kosovë me sistemin e stabilimenteve të teknologjisë moderne GIS, instalimi i 2 transformatorëve energjetikë me fuqi nga 40 MVA si dhe ndërtimi i linjës së dyfishtë kabllovike nëntokësore rreth 1.5 km dhe linjë ajrore 110 kV rreth 1.9 km gjatësi. Ndërtimi i NS Fushë Kosova me sistemin GIS dhe me dy transformatorë energjetikë do të fillojë me sigurimin e buxhetit, sipas punëve opcionale të përshkruara në kontratën bazë.

Komuna e Drenasit - Ndërtimi i Nënstacionit të ri NS 220/10(20) kV - Drenasi 2 me sistemin e stabilimenteve të teknologjisë moderne GIS, instalimi i 2 transformatorëve energjetik me fuqi nga 40 MVA si dhe ndërtimi i linjës së dyfishtë të tensionit të lartë 220 kV me gjatësi rreth 3 km.

Komuna e Therandës dhe Rahovecit – Rehabilitimi i NS 110/10(20) kV – Theranda me sistemin e stabilimenteve të teknologjisë moderne HIS dhe ndërtimi i linjës së re të tensionit të lartë 110 kV, NS Rahovec – NS Theranda në gjatësi rreth 19 km.

Komuna e Mitrovicës - Ndërtimi i Nënstacionit të ri 110/10(20) kV – Mitrovica 2 me sistemin e stabilimenteve të teknologjisë moderne GIS, instalimi i 2 transformatorëve energjetikë me fuqi nga 40 MVA si dhe ndërtimi i dy linjave të dyfishta të tensionit të lartë 110 kV me gjatësi prej 2 km dhe 1.5 km.

Gjatë muajve në vijim, KOSTT në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe me mbështjen e komunave gjegjëse, do të realizojë përgatitjet e mëtutjeshme për fillimin e implementimit të projekteve. Do të organizohen debatet publike për vlerësimin e ndikimit në mjedis për projektet e lartcekura, përfundimin e procedurave të nevojshme për sigurimin e lejeve ndërtimore për objektet që konform ligjit vlerësohet se duhet siguruar, si dhe vlerësimet dhe realizimin e shpronësimeve dhe servituteve të nevojshme.


000000000001                                                             Menaxhmenti i KOSTT-it në takim me Kryetarin e Komunës së Prishtinës

000000000002                                                            Menaxhmenti i KOSTT-it në takim me Kryetarin e Komunës së Drenasit

000000000003                                                            Menaxhmenti i KOSTT-it në takim me Kryetarin e Komunës së Therandës

000000000004
Menaxhmenti i KOSTT-it në takim me Kryetarin e Komunës së Rahovecit

000000000005
Menaxhmenti i KOSTT-it në takim me zv. Kryetarin e Komunës së Mitrovicës