5 Janar 2017 - Projekti për përmirësimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike faza IV dhe V, drejt përfundimit

Implementimi i investimit në vlerë të përgjithshme prej afër € 33 milion për përmirësimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë, Faza IV dhe V, po i afrohet finalizimit.
Gjatë muajit dhjetor 2016 një pjesë e theksuar e pakos së projekteve në kuadër të fazës IV dhe V kanë përfunduar sipas afatit të paraparë kontraktual, gjegjësisht më herët se që është paraparë me kontratë si rezultat i angazhimit maksimal nga ekipet punuese dhe menaxhuese si dhe implementuesit e projekteve.
Gjatë muajit dhjetor 2016 janë lëshuar në punë:
- linja e dyfishtë e tensionit të lartë 110 kV që lidhë Nënstacionet Peja 1 me Peja 3 me gjatësi të përgjithshe prej 26 km, nga e cila 24 km linjë ajrore dhe 2 km linjë kabllore nëntokësore. Kjo njëherit përbën linjën e parë nëntokësore të tensionit të lartë 110 kV në Kosovë.
- zëvendësimi i përçuesve mbrojtës në linjat transmetuese interkonektive me kabllo optike – OPGW në gjatësi totale rreth 54 km. -sistemi i stabilimenteve të teknologjisë moderne GIS (Gas Insulated Switchgear) në NS Peja 1. -është instaluar dhe energjizuar transformatori i dytë me fuqi 300 MVA në Nënstacionin 400/110 kV Peja 3-është instaluar dhe energjizuar transformatori i dytë me fuqi 300 MVA në Nënstacionin 400/110 kV Ferizaj 2.
Implementimi i projekteve në fjalë po mundësohet përmes kredisë komerciale afatgjate që KOSTT sh.a e ka siguruar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) me kushte kredituese të buta në vlerë prej € 23,5 milion, financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej € 7.3 milion përmes programit IPA dhe 2.1 milion nga buxheti i KOSTT.
Implementimi i projekteve në kuadër të fazës IV dhe V ka një impakt të madh në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit dhe krijon mundësi për zhvillimin ekonomik dhe të potencialit të turizmit për rajonin e Pejës, Istogut dhe Ferizajit.
Projekti “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit, Programi IV dhe V i Sektorit”, përbëhet nga 4 (katër) LOT-e:
LOT 1: Nënstacionet - i cili po implementohet nga kompania austriake SIEMENS (Austri)
LOT 2: Transformatorët – i cili po implementohet nga kompania kroate Konçar Power Transformers
LOT 3: Linjat e Transmisionit – i cili po implementohet nga kompania kroate Dalekovod (Zagreb)
LOT 4: Rehabilitimi i 19 nënstacioneve – i cili po implementohet nga kompania SIEMENS (Austri)
Finalizimi i përgjithshëm i projekteve në kuadër të fazës IV dhe V pritet të kompletohen nga mesi i vitit 2017.