7 Nëntor 2016 - KOSTT merr pjesë në Konferencën Rajonale të ENTSO-E “Pjesëza e fundit e mozaikut: Integrimi i Evropës Juglindore në Tregun e Brendshëm të Energjisë Elektrike

Me datë 2 dhe 3 nëntor 2016 në Selanik (Greqi), menaxhmenti i KOSTT sh.a mori pjesë në Konferencën Rajonale për Evropën Juglindore të Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E), të titulluar “Pjesëza e fundit e mozaikut: Integrimi i Evropës Juglindore në Tregun e Brendshëm të Energjisë Elektrike”.

Në suaza të konferencës u mbajt edhe takimi i nivelit të lartë të drejtorëve të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (OST) të EJL ku u diskutua për objektivat dhe sfidat për funksionalizimin e tregut të energjisë elektrike në Evropën Juglindore. Në këtë takim KOSTT paraqiti progresin e arritur deri më tani si dhe sfidat me të cilat po përballet si pasojë e mos implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT – ENTSO-E, me të cilën parashihet që KOSTT të filloj operimin si zonë/bllok i pavaruar kontrollues.
Në kuadër të konferencës, zv.Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Kadri Kadriu prezentoi para të pranishmëve rolin dhe ndikimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri në ngritjen e sigurisë së operimit të sistemit rajonal, mundësitë e krijimit të tregut të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri si dhe integrimit të tij më tutje në rajon. Me këtë rast, z.Kadriu gjithashtu foli edhe për pasojat e mos implementimit të Marrëveshjes për Kyçje KOSTT-ENTSO-E dhe ndikimin në mosfunksionalizimin e linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri, shqetësimin për mos vënien në operim të së cilës e shprehu edhe Ministri i Energjisë së Shqipërisë z. Damian Gjiknuri, gjatë fjalës së tij.
Gjithashtu, menaxhmenti i KOSTT në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani, kanë zhvilluar një varg takimesh konsultative me homologët nga rajoni dhe zyrtarët e ENTSO-E në mesin e të cilëve me Presidentin z.Peder Adreasen, znj.Bente Hagem-Kryetare e Bordit ENTSO-E, z.Janez Kopaç-Drejtor i Sekretariatit të Energjisë për EJL, ku janë diskutuar tema me interes për KOSTT.

selanik ENTSO 2016 01

Selanik ENTSO 2016 02