26 Tetor 2016 - Kosova dhe Shqipëria njoftohen me praktikat e Austrisë dhe Gjermanisë në organizimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike

Në kuadër të përkrahjes nga projekti i USAID (RePower) për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri, përfaqësues të ministrive përkatëse, autoriteteve rregullatore të energjisë dhe Operatorët e Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) dhe Shqipërisë (OST), realizuan një vizitë zyrtare në OST-në e Austrisë në Vjenë (Austrian Power Grid) dhe në TSCNET (TSO Security Cooperation Center ) në Mynhen të Gjermanisë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me praktikat dhe me eksperiencën e shtetit të Austrisë dhe të Gjermanisë në bashkimin e tregut të energjisë elektrike dhe funksionimin si një zonë e vetme tregtare dhe mundësia e aplikimit të këtij modeli për themelimin e një zone të vetme operuese, tregtare dhe balancuese të energjisë elektrike Kosovë- Shqipëri.
Delegacionet gjithashtu u njoftuan edhe me praktikat e qendrës koordinative të kontrollit të sigurisë për menaxhimin e kapacitetit ndërkufitar dhe ridispeçimit të energjisë elektrike në raste të kongjestioneve.

Në këtë vizitë, delegacioni i KOSTT u kryesua nga Kryeshefi Ekzekutiv (KShE) z.Mustafë Hasani, dhe ishte në përbërje të z.Kadri Kadriu zv.KShE, z.Skender Gjonbalaj-Drejtor i operimit të tregut, z.Sabri Musiqi-Drejtor i operimit të sistemit dhe zyrtarë të tjerë të fushës.
Kosova dhe Shqipëria, gjatë vitit 2016 kanë intensifikuar angazhimet në drejtim të integrimit të plotë të tregut të energjisë elektrike si dhe bashkëpunimin në krijimin dhe operimin e Bursës Shqiptare të Energjisë (APE) në përputhje me Direktivat e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore (SKE).

Në kuadër të kësaj vizite u realizua edhe një vizitë në Sekretariatin e Energjisë për EJL në Vjenë ku u diskutua rreth bashkëpunimit të ndërsjellë dhe çështjeve në interes të zhvillimit dhe funksionimit të tregut të energjisë elektrike.

26 tetor 1

26 Tetor 2

26 Tetor 3