20 Shtator 2016 - Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik vlerëson lart rolin e KOSTT dhe shpreh mbështetjen për të vazhduar me performansën pozitive

Anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës në krye me Kryetarin e Komisionit z.Muhamet Mustafa vizituan KOSTT-in ku u pritën nga menxhmenti në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani si dhe Bordi i KOSTT në krye me Kryesuesen znj.Drita Konxheli-Radoniqi.

Kryesuesja e Bordit të drejtorëve znj.Drita Konxheli-Radoniqi duke falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për vizitën e tyre të parë, theksoi rëndësinë që ka KOSTT për Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, ndërmarrje e cila cilësohet si një nga më të suksesshmet dhe e cila shquhet për performansën pozitive si teknike ashtu dhe financiare, duke ofruar shërbime kualitative për palët e kyçura në Rrjetin Transmetues të Kosovës. 

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani, i njoftoi të pranishmit në lidhje me funksionimin dhe operimin e Sistemit Transmetues të Kosovës, punën që po zhvillohet për mirëmbajtjen preventive të rrjetit si dhe investimet e vazhdueshme për zhvillimin dhe modernizimin e Sistemit me qëllim që të ofrohen shërbime cilësore dhe ofrimin e sigurisë së lartë të furnizimit me energji elektrike për qytetarët e Kosovës, nga aspekti i transmisionit. “KOSTT vazhdon të operoj me performansë pozitive dhe të ketë likuiditet të lartë financiar”, theksoi z.Hasani, gjë që ka ndikuar që KOSTT të fitojë besimin e partnerëve ndërkombëtar si KfW, EBRD dhe të tjerë, për financimin e projekteve kapitale zhvillimore përmes kredive komerciale afatgjate.
Deputetët gjithashtu u njoftuan me angazhimet e vazhdueshme për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin rajonal dhe evropian të Sistemit Transmetues të Kosovës si dhe sfidat në të cilat po kalon KOSTT në kuadër të këtyre proceseve.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik z.Muhamet Mustafa, shprehu mirënjohje për punën që po zhvillohet në KOSTT e cila ka dhënë rezultate të prekshme si në uljen e humbjeve në rrjetin transmetues që njëherit përbëjnë humbjet më të ulta në rajon, ashtu edhe me investimet prej afro 200 milion euro që janë realizuar për 10 vite që nga themelimi i KOSTT. Me këtë rast, z.Mustafa duke potencuar rolin e rëndësishëm që ka KOSTT në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, ndër të tjera theksoi “Ju mbështesim në punën që e keni bërë dhe ju inkurajoj që të vazhdoni të thelloni tutje rezultatet”.
Gjithashtu, edhe z.Afrim Prekazi, Kryesues i Komisionit të Auditimit nga Bordi i KOSTT përmendi disa të arritura të kompanisë që e bëjnë KOSTT-in të krahasueshme me kompanitë rajonale dhe evropiane.
Kjo vizitë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës në KOSTT u realizua në dritë të miratimit të ligjit të ri për energjinë elektrike, sipas të cilit të drejtat e aksionarit për KOSTT do të ushtrohen nga Kuvendi i Kosovës.

IMG 6141 1

IMG 6136 1

IMG 6178 1

IMG 6180 1