12 Gusht 2016 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani me bashkëpunëtorë inspektoi punimet që po zhvillohen në kuadër të projektit “Përmirësimi i Rrjetit Transmetues”, faza IV dhe V

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani me bashkëpunëtorë, sot inspektuan nga afër punimet që po zhvillohen për ndërrimin e ndërprerësve të fuqisë 220 kV dhe 110 kV në Nënstacionin Prishtina 4.

Ky projekt është pjesë e LOT 1: “Nënstacionet” të Projektit “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit, Programi IV dhe V i Sektorit” i cili parasheh implementimin e 10 projekteve që mundësohen përmes kredisë komerciale afatgjate që KOSTT sh.a e ka siguruar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) me kushte kredituese të buta në vlerë prej € 23,5 milion nga e cila € 15,5 milion me periudhë kthyese prej 15 viteve dhe €8 milion me periudhë kthyese prej 40 viteve, si dhe financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej € 7.35 milion përmes programit IPA.

Implementimi i projekteve në fjalë, që njëherit janë pjesë e Planit Zhvillimor të Transmisionit do të kenë ndikim të theksuar në sigurinë, besueshmërinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit, rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të energjisë elektrike, plotësimin e kriterit N-1 dhe ngritjen e performancës operuese të Sistemit të Transmisionit të Republikës së Kosovës.
LOT 1-Nënstacionet është duke u implementuar nga kontraktuesi SIEMENS (Austri).

Permiresimi i Rrjetit te Transmisionit Programi IV dhe V i Sektorit 1

Permiresimi i Rrjetit te Transmisionit Programi IV dhe V i Sektorit 2