20 Korrik 2016 - Vlerësohet performansa si dhe roli qenësor i KOSTT në funksionimin e Sistemit Elektroenergjetik të Republikës së Kosovës

Në vizitën të cilën sot e realizoi në KOSTT Kryeministri i Kosovës z.Isa Mustafa dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci ku u pritën nga menxhmenti i KOSTT në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani si dhe bordi i KOSTT në krye me Kryesuesen znj.Drita Konxheli-Radoniqi, u vlerësua lart performansa e kompanisë si dhe roli qenësor i KOSTT në funksionimin e gjithmbarshëm të Sistemit Elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.
Duke e vlerësuar organizimin dhe operimin shumë të suksesshëm të KOSTT si në pikëpamje të detyrave ashtu dhe në pikëpamje financiare, kryeministri Mustafa më tutje theksoi “Ka pasur investime të suksesshme në periudhën e kaluar, rreth 200 milionë euro, dhe po ashtu ka pas një plan shumë konkret të investimeve për të ardhmen”.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Hasani me këtë rast theksoi “Ne po punojmë edhe për investimet në vazhdim, për të cilat shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Bankën Botërore, USAID, Komisionin Evropian, Bankën Gjermane për Zhvillim, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që të gjitha këto kapacitete, kjo teknologji e avancuar dhe jashtëzakonisht bashkëkohore është në funksion të përditshëm të KOSTT”.

Gjithashtu edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci, vlerësoi rolin domethënës dhe të pazëvendësueshëm të KOSTT në kuptimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit që i jep sistemit elektroenergjetik të vendit tonë.
Në kuadër të vizitës, delegacioni qeveritar u njoftua për së afërmi nga menaxhmenti dhe bordi në lidhje me punën që po zhvillohet në KOSTT si në kuptimin e operimit dhe mirëmbajtjes së Sistemit të Transmisionit të Kosovës gjithashtu dhe për investimet në zhvillimin e modernizimin e tij. Gjithashtu, më tutje delegacioni qeveritar u njoftua për angazhimet në integrimet rajonale dhe evropiane të KOSTT dhe sfidat në kuadër të këtyre proceseve.
Me këtë rast Kryeministri Mustafa foli për rëndësinë që ka linja e re 400 kV Kosovë-Shqipëri për sistemin elektroenergjetik, funksionalizimi i së cilës ka mbetur peng i mos-implementimit të marrëveshjes për energji nga ana e Serbisë dhe potencoi që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të bëjë përpjekje maksimale që kjo marrëveshje të implementohet dhe që KOSTT të operojë në treg krahas fushave të tjera të cilat po i zhvillon në Kosovë, në mënyrë që të arrihet ushtrimi i sovranitetit të plotë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
‘’Ju e dini që në muajin e kaluar në qershor dhe muaj më parë në dhjetor të vitit të kaluar kemi lansuar linjën e re interkonektive, pra “Autostradën Energjetike”, që është njëra nga kryeveprat më të mëdha kapitale që është bërë në Republikën e Kosovës por edhe në Republikën e Shqipërisë dhe presim që ky projekt të operacionalizohet me fillimin e funksionimit të KOSTT-it si një bllok i pavarur”, theksoi ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Stavileci.

IMG 5987

 

IMG 6034
IMG 6075

 

IMG 6056

000000002