5 Maj 2016 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani priti në vizitë delegacionin e lartë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë

Menaxhmenti i KOSTT në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani, pritën në vizitë delegacionin e lartë të Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Republikës së Shqipërisë në krye me z.Engjëll Zeqo, administrator i përgjithshëm.

Në takim, u diskutua për çështje me interes për Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës dhe Shqipërisë në përgjegjësi të dy kompanive homologe, ku si tema të veçanta ishin bashkëpunimi në proceset e integrimeve regjionale dhe evropiane si dhe hapat e mëtutjeshëm në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri. Me këtë rast z.Hasani dhe Zeqo gjithashtu u shprehën të përkushtuar në bashkëpunimin e mëtutjeshëm që Kosova (KOSTT) të jetë pjesë e berzës së energjisë (Power Exhange) që është duke u krijuar në Shqipëri si dhe u diskutua për modalitetet e operacionalizimit të linjës ndërshtetërore 400 kV Kosovë Shqipëri, punimet e së cilës në anën e Shqipërisë pritet të finalizohen brenda muajit qershor 2016.
Në kuadër të zotimit për thellimin e bashkëpunimit, me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani dhe Administratori i Përgjithshëm i OST z.Engjëll Zeqo nënshkruan disa dokumente në mbështetje të bashkëpunimit në proceset e integrimeve regjionale dhe evropiane.
Të dy homologët u shprehёn tё kёnaqur me takimin dhe shprehën gatishmërinë pёr thelliminin e marrëdhënieve në cështje me interes të dyanshëm dhe shprehën interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit në shkëmbim të përvojave në mes të dy kompanive.

IMG 5600

IMG 5617