30 Mars 2016 - Kosova dhe Shqipëria të vendosura për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike

Pas takimit të Komitetit Drejtues për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri, sot më 30 mars 2016 në ambientet e Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës në Tiranë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Blerand Stavileci dhe Ministri i Industrisë dhe Energjetikës së Shqipërisë z.Damjan Gjiknuri firmosën një deklaratë të përbashkët përmes së cilës morën një sërë angazhimesh në kuadër të nismës për ndërtimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike.

Përmes kësaj deklarate, përcaktohet që Grupet e Punës, nën koordinimin e Komitetit Drejtues, do të punojnë së bashku në identifikimin dhe përcaktimin e fazave të mëtejshme dhe afateve përkatëse në drejtim të integrimit të plotë të tregut të energjisë elektrike sipas një udhërrëfyesi të dakorduar në mes të palëve, të mbështetura nga një asistencë e përbashkët teknike.
Me këtë rast, Ministri Stavileci theksoi që Qeveritë e dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkëta, ndërkohë që ka vazhduar puna e ekspertëve të nivelit teknik, në shumë aktivitete dhe projekte të përbashkëta.
Në anën tjetër Ministri Gjiknuri ka theksuar që “Shqipëria dhe Kosova kanë mëse dy vjet që po punojnë në mënyrë intensive për këtë proces. Puna është e vazhdueshme në terren, me përfundimin e linjës së interkonjeksionit, një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme energjetike e cila do të inaugurohet në Qershor dhe fillon të bëhet funksionale. Pra, fizikisht të dyja vendet tashmë janë të lidhura me rrjetin energjetik të përbashkët. Nga ana tjetër, këto investime po pasohen dhe me politika të përbashkëta për krijimin e këtij tregu.”
Përveq tjerash, me Deklaratën e Ministrave të datës 30 mars 2016 përcaktohet që KOSTT dhe OST Shqipëri do të bashkëpunojnë në krijimin dhe operimin e Bursës Shqiptare të Energjisë (APE) në përputhje me Direktivat e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore (SKE), si dhe do të lehtësojnë integrimin e Bursës Shqiptare të Energjisë me Bursat e Energjisë në vendet fqinje duke i vënë në dispozicion kapacitetet e interkoneksionit. Palët do të bashkëpunojnë në krijimin e një zone të vetme tregtare si dhe do të punojnë për të optimizuar kapacitetet transmetuese.
Ndryshe një ditë më herët, me 29 mars 2016 në Tiranë, u zhvillua takimi në mes të homologëve të institucioneve të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë, ku ishte prezent Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani. Në kuadër të takimit, përfaqësuesit e të dyja palëve prezantuan zhvillimet e fundit që ndërlidhen me krijimin e tregut të përbashkët të energjisë. Me këtë rast, z.Hasani prezentoi zhvillimet aktuale në Sistemin e Transmisionit në Kosovë si dhe foli për proceset aktuale të integrimeve rajonale dhe evropiane me të cilat aktualisht po merret KOSTT. Z.Hasani në veçanti theksoi që “KOSTT do të vazhdojë që në mënyrë proaktive të punoj në zhvillimin e tregut të energjisë elektrike dhe në ngritjen e kapaciteteve të transmisionit duke kontribuar kështu në krijimin e kushteve për sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe ngritjen e besueshmerisë së Sistemit të Transmisionit”. 

30 03 2016 636997 Stavileci Gjiknuri Tirane  2

Takimi 29 mars 2016