24 Mars 2016 - Menaxhmenti i KOSTT dhe OST Shqipëri shprehen të përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit në mes të dy sistemeve energjetike

Delegacioni i lartë i menaxhmentit të KOSTT në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani realizuan vizitë një ditore në kompaninë homologe OST Shqipëri ku u pritën nga drejtori i përgjithshëm z.Engjëll Zeqo me bashkëpunëtorë. Në takim u diskutuan tema me interes të përbashkët për të dy sistemet energjetike Kosovë dhe Shqipëri dhe modalitetet e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në projekte të përbashkëta dhe me interes të dyanshëm.

Me këtë rast, të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë me aktivitetet për harmonizimin e hapave të mëtutjeshëm drejt krijimit të tregut të përbashkët energjetik Kosovë Shqipëri e cili vlerësohet të ketë ndikim në sigurinë e furnizimit dhe shfrytëzimin më optimal të burimeve të energjisë elektrike për të dyja vendet ku përfituesit kryesorë në këtë mes do të jenë konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë dhe Shqipëri.
Sa i përket projekteve me ndikim në ngritjen e kapaciteteve të bartjes së energjisë elektrike në mes të dy Sistemeve, delegacionet u darkoduan për harmonizimin e aktiviteteve të nevojshme për vënien në operim të linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri ndërsa ekipet e ekspertëve të diskutojnë modalitetet teknike dhe të afateve kohore për implementimin e projektit të linjës së re ndërshtetërore të planifikuar, 110 kV Kukës-Dragash-Prizren. Në kuadër të këtij takimi, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Hasani gjithashtu ka shprehur interesimin e KOSTT për tu bërë pjesë e bursës së energjisë elektrike të Shqipërisë, projekt i cili është në zhvillim e sipër.
z.Hasani falënderoi homologun e tij z.Zeqo për bashkëpunimin profesional deri më tani dhe të dy homologët shprehën gatishmërinë dhe interesimin për të avancuar edhe më tutje bashkëpunimin.

IMG 0184