1 Mars 2016 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Hasani merr pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani me bashkëpunëtorë sot mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe përkrahur nga projekti REPOWER (USAID).
Në Forum morën pjesë përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kosovës përfshirë Kryeministrin z.Isa Mustafa, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci, Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor z.Ferid Agani,

Ambasadorin e SHBA në Kosovë z.Greg Delawie, Drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë z.Marco Mantovanelli dhe përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e komunitetit të industrisë, organizatave jo-qeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.
Me këtë rast z.Hasani prezentoi para audiencës rolin e KOSTT në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, gjendjen aktuale të Rrjetit të Transmisionit, rëndësinë e zhvillimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe zhvillimeve të fundit në raport me asociacionin evropian të OST-ve (ENTSO-E).
Të pranishmit patën rastin gjithashtu të njoftohen me përfitimet nga investimet e vazhdueshme që janë bërë në rrjet që kanë rezultuar me rritjen e kapaciteteve të brendshme transmetuese; kapaciteteve interkonektive; rritjen e sigurisë, besueshmërisë dhe kualitetit të furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit; zvogëlimin e humbjeve në transmision; rëndësinë e zhvillimit të tregut të energjisë elektrike, si dhe rritjen e performansës së sistemit në përputhje me kërkesat teknike të ENTSO-E.
Në Forum, është diskutuar edhe për përparësitë që sjell tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë në raport me stabilitetin e furnizimit dhe operimit të Sistemit Elektroenergjetik gjë e cila përveq tjerash vlerësohet të ketë ndikim edhe në uljen e çmimeve të energjisë elektrike.
Pjesëmarrësit në Forum kanë folur gjithashtu edhe për performansën pozitive të KOSTT me ç’rast ndër të tjera nga përfaqësuesit institucional është përshëndetur avansimi i theksuar që është arritur ndër vite në zvogëlimin e nivelit të humbjeve në transmision i cili është nën nivelin e lejuar nga ZRrE gjë e cila e bën të jetë kompania transmetuese me humbjet më të ulta në rajon.
Në panelin për diskutime ku KOSTT u përfaqësua nga z.Kadri Kadriu zv.Kryeshef ndër të tjera u potencua që kapacitetet e rrjetit transmetues të Kosovës mundësojnë kyçjen e kapaciteteve të reja gjeneruese përfshirë edhe burimet e renovueshme të energjisë elektrike.

IMG 5424

IMG 5429