1 Mars 2016 - Nën organizimin e Bankës Botërore, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Hasani me bashkëpunëtorë realizuan një vizitë studimore në degët telekomunikuese të kompanisë TenneT në Holandë: NOVEC dhe Relined

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani me bashkëpunëtorë, mori pjesë në vizitë studimore në degët telekomunikuese NOVEC dhe Relined të kompanisë TenneT: Operator i Sistemit të Transmisionit i cili ushtron aktivitetin e tij në Holandë dhe në Gjermani. Në këtë vizitë, përpos përfaqësuesve të KOSTT, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Financave, Banka Botërore (BB) si dhe konsulentë të angazhuar nga BB.

Vizita studimore u organizua dhe financua nga ana e Bankës Botërore në kuadër të përkrahjes së sektorit të telekomunikacionit në Kosovë, respektivisht në kuadër të projektit për lehtësimin e shkëmbimit më efektiv të infrastrukturës në mes të sektorit të energjisë dhe atij të telekomunikacionit, objektiv i të cilit është: Operacionalizimi i shfrytëzimit të përbashkët të infrastrukturës telekomunikuese të KOSTT-it.

Vizita studimore kishte për qëllim shkëmbimin e informatave dhe përvojave në lëmin e telekomunikimeve, për qëllime të komercializimit të pjesës së pashfrytëzuar të infrastrukturës telekomunikuese të KOSTT-it. Gjatë kësaj vizite, pjesëmarrësit patën rastin të informohen lidhur me aktivitetet e degëve telekomunikuese NOVEC, e cila kryesisht merret me instalimin e sistemeve të antenave nëpër shtyllat e largpërçuesve si dhe në shtyllat vetanake, ndërsa dega Relined merret kryesisht me fibra optik.

Në kuadër të shkëmbimit të informatave, KOSTT prezantoi aktivitetet e kompanisë, gjendjen aktuale si dhe planet për komercializimin e një pjese të infrastrukturës telekomunikuese të KOSTT-it. Ndërsa, gjatë prezantimeve të mikëpritësve janë zhvilluar diskutime rreth shërbimeve të ofruara, siguria e rrjetit dhe operimit, çështjet ligjore/rregullative, ndarja e shërbimeve të pa rregulluara nga ato të rregulluara, operimi në tregun e telekomunikimeve etj.

Gjatë kohës së vizitës, pjesëmarrësit patën rastin të vizitojnë në terren pajisjet, antenat dhe pajisjet përcjellëse në shtylla të largpërçuesve si dhe Qendrën e të Dhënave (Data Center) në Amsterdam.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani, me këtë rast shprehu falënderimin e tij për mikëpritësit: z.Frank van Kuppeveld, Drejtor komercial në NOVEC dhe z.Rick van Fucht, Menaxher për zhvillim të biznesit në Relined, si dhe për përkrahjen e Bankës Botërore, në procesin e operacionalizimit të shërbimeve të infrastruktures telekomunikuese të KOSTT-it.

Vizita Studimore ne Holande shkurt 2016