19 Janar 2016 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Hasani priti në takim drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor znj.Ellen Goldstein

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani, priti në takim drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor znj. Ellen Goldstein me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim u diskutua rreth infrastrukturës ekzistuese teknike dhe ligjore të Sistemit Transmetues të Republikës së Kosovës dhe mundësive për të akomoduar kyçjen e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike në Sistem.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Hasani njoftoi drejtoreshën e Bankës Botërore znj.Goldstein mbi gjendjen aktuale të Rrjetit Transmetues të Kosovës i cili është i lidhur fuqimisht me linja interkonektive (ndërkufitare) me të gjitha shtetet fqinje si dhe është i kyçur në zonën sinkrone të Evropës Kontinentale. z.Hasani theksoi që funksionimi i Sistemit të Transmisionit është stabil dhe në bazë të analizave teknike që janë realizuar, kyçja e gjeneratorit të ri të planifikuar të energjisë elektrike në sistem, do të akomodohej pa ndonjë vështirësi si nga aspekti teknik ashtu edhe nga ai ligjor. Të gjitha aktet nënligjore dhe proceduriale për kyçje në Sistemin Transmetues, KOSTT i ka të zhvilluara dhe tashmë janë në funksion.
Gjatë këtij takimi u bisedua gjithashtu edhe për mbështetjen me ekspertizë që e ka ofruar Banka Botërore për KOSTT-in për gjetjen e mënyrës më të mirë të shfrytëzimit të kapaciteteve të fibrit optik, meqenëse ekziston një infrastrukture telekomunikuese mjaft e zhvilluar në KOSTT.

Takimi KOSTT BB janar 2016