17 Dhjetor 2015 - Inaugurohet Projekti i Rregullimit Sekondar Kosovë-Shqipëri si dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

Me 17 Dhjetor 2015, në praninë e delegacionit të lartë Qeveritar të Republikës së Kosovës, përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, të Ambasadës Gjermane në Kosovë, bankës gjermane për zhvillim KfW dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare u inaugurua projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë/Fuqi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipëri.

Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani theksoi ”këto projekte janë ndër më të rëndësishmet dhe nga më të mëdhatë e pasluftës në Kosovë. Përfundimi me sukses dhe brenda afateve i këtyre dy projekteve krijon parakushtet dhe përforcon rrjetin e transmisionit për zhvillimet tjera në këtë sektorë e në veçanti e gjen KOSTT-in të përgatitur për të pritur investimet në kapacitetet e reja gjeneruese si dhe avancon pozitën tonë në rrjetin rajonal të transmisioneve.
Duke folur për rëndësinë e përfundimit të punimeve në linjën 400 kV Kosovë Shqipëri, Kryeministri i Kosovës z.Isa Mustafa theksoi “E konsideroj që është një sukses i ynë i përbashkët i cili do të mundësoj optimizimin e këtyre dy sistemeve jo vetëm në ngritjen e sistemeve transmetuese por edhe në ngritjen e besueshmërisë së ekonomisë dhe qytetarëve tanë për tu furnizuar në mënyrë të rregullt me energji elektrike’’

Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci theksoi që “realizimi i këtij projekti përbën një kapitull të ri në sektorin energjetik të vendit tonë, një kapitull që do ta transformojmë për ta bërë gati për zhvillimet e ardhshme. Ne po bëjmë hapa progresiv për të përmbushur agendën evropiane në sektorin e energjisë.”

Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, i cili u inaugurua me 17 dhjetor ka qenë i përbërë nga dy LOT-e. LOT 1 i cili ka përfshi ndërtimin e linjës interkonektive që lidhë nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) më një gjatësi në pjesën e Kosovës prej 91 km dhe gjatësi totale prej 241.5 km. Ndërsa LOT 2 ka përfshi ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OST).
Ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, do të forcoj rolin e Kosovës në rajon si një nyje e rëndësishme e cila akomodon transitin dhe i kontribuon sigurisë dhe besueshmërisë së sistemit rajonal energjetik. Në anën tjetër projekti i Rregullimit sekondar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shenon një epokë të re për KOSTT-in si operator i tranmisionit të energjisë elektrike sepse me këtë shkëputet nga varësia e Sistemit Elektroenergjetik të Serbisë.

Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane në Kosovë znj.Henriette Kotter në ceremoninë inauguruese theksoi që ”përkrahja financiare gjermane për rrjetin e transmisionit do të ndihmojë në integrimin e rrjetit të Kosovës në rrjetin rajonal të transmisioneve të energjisë elektrike”. Ndërsa në anën tjetër drejtoresha e KfW në Kosovë znj.Esther Gravenkoetter duke e vlerësuar lartë KOSTT-in si kompani të suksesshme ka theksuar që “ky projekt i financuar nga KfW ka qenë më i rëndësishmi në Kosovë dhe ky projekt shumë i suksesshëm është mundësuar falë bashkëpunimit të shkëlqyer të bazuar në besim, profesionalizëm dhe trasnparencë. “
Në anën tjetër, zv.ministri i Energjetikës dhe Industrisë së Shqipërisë z.Ilir Bejtja tha se “me linjën interkonketive ecim së bashku një hap përpara me sistemet energjetike për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë për t’i parapri në mënyrë ekonomike bashkimeve politike të të dy vendeve brenda hapësirës evropiane”.
Financimi i projektit për pjesën e Kosovës është bërë nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila €16.5 milion grant + €17 milion kredi. Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë. Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200MW, me vënjen në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400kV Tirana –Podgoricë do të ngritet në rreth 900MW.

Projekti për ndërtimin e linjës interkonektive Kosovë-Shqipëri ka përfunduar 2 muaj para afatit kontraktual, implementimi i LOT 1 është realizuar nga kompania kroate Dalekovod ndërsa implementimi i LOT 2 nga kompania gjermane ABB.
Në kuadër të ceremonisë u firmos edhe kontrata tregtare për Rregullim Sekondar në mes të KOSTT dhe OST Shqipëri.

1

 

3

4

5

6

7

8

9

10