10 Shtator 2015 - Linja ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri drejt përfundimit

Delegacioni i përbashkët i zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, sot realizuan një vizitë inspektuese punimeve për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. Delegacioni i përbërë nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci dhe zv.Ministrja Besa Zogaj-Gashi, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z.Ferid Agani si dhe nga delegacioni gjerman në përbërje të Ambasadores së RF të Gjermanisë znj.Angleika Viets, Dr.Ingrid Hengster, anëtare e Bordit të Drejtorëve të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), znj.Esther Gravenkoether drejtore e KfW për Kosovë, vlerësuan lart angazhimin intenziv që po bëhet për përfundimin e punimeve në linjën ndërshtetërore të tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z.Naim Bejtullahu i informoi delegacionin me intenzitetin e punëve që po realizohen dhe përkushtimin maximal për finalizimin e projektit para afatit të paraparë me kontratë. z.Bejtullahu shpjegoi se deri më tani është implementuar më shumë e 80% e projektit. Janë montuar 215 shtylla elektrike të tipit Y, është shtruar mbi 50km përçues elektrik, ndërsa procesi i shpronësimeve ka përfunduar për të tri segmentet. Linja nga ana e Kosovës pritet që të përfundojë deri në fund të vitit 2015.

Të pranishmit gjithashtu patën rastin që të shohin procesin e shtrirjes së përçuesve elektrik në shtyllat elektrike nr1. dhe nr.2, nga punonjësit e kompanisë kroate Dalekovod e cila po implementon projektin.
Me këtë rast, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Blernad Stavileci u shpreh i kënaqur me faktin që projekti në anën e Kosovës do të përfundojë brenda dy muajsh ndërsa nga ana e Shqipërisë punimet pritet të kryhen gjatë vitit të ardhshëm, “kjo dëshmon që viti i ardhshëm do të jetë një etapë e re në kuadër të bashkëpunimit energjetik Kosovë – Shqipëri”, theksoi Ministri Stavileci.
Ndërsa Ambasadorja e RF të Gjermanisë znj.Angleika Viets theksoi se “Sektori i energjisë është një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Ne jemi fokusuar në këtë projekt me synim që të përmirësojmë jetesën e qyterarëve dhe, për të përmirësuar jetesën e qytetarëve kërkohet që të përmirësohet ujësjellësi dhe furnizimi me energji elektrike.”
Në anën tjetër znj Ingrid Hengster, anëtare e bordit të drejtorëve të KfW (Gjermani), potencoi interesimin e KfW për mbarëvajtjen e këtij projekti dhe lavdëroi KOSTT-in për përkushtimin në implementimin e projektit i cili do të nxisë integrimin e sistemit energjetik në mes të Kosovës dhe Shqiëprisë dhe më tutje në rrjetin Evropian të energjisë.”
Me këtë rast, gjithashtu u nënshkrua edhe kontrata në mes të KOSTT dhe kompanisë austriake SIEMENS e cila do të implementoj punimet në kuadër të LOT-it 4 që janë pjesë e Projektit “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit, Programi IV dhe V i Sektorit”. Vlera e kontratës prej 8,722,018 Euro bashkë-financohet nga KfW dhe KOSTT. Projekti parasheh rehabilitimin e 19 Nënstacioneve të Operator Sistemit, Transmsionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT).

Fakte të shpejta për projektin-Linja interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

  • Gjatësia e linjës: 241.5 km
  • Gjatësia-Kosovë: 91 km
  • Gjatësia-Shqipëri: 151.5 km
  • Vlera e financimit nga Qeveria Gjermane përmes KfW (pjesa Kosovë): € 33.5 mil (€16.5 mil. Grant + €17 mil. Kredi)

 

Implementimi i projektit

  • Gjithsej numri i shtyllave elektrike në pjesën e Kosovës-241
  • 215 shtylla të tensionit të lartë janë montuar
  • 241 bazamente të shtyllave janë ndërtuar
  • 50 km përçues është instaluar
  • 80% e projektit deri tani është realizuar
  • Shpronësimet të përfunduara

Benefitet

  • Rritje e kapaciteteve transmetuese
  • Shkëmbim më i madh i en.elektrike Kosovë-Shqipëri
  • Kapaciteti i transferit rritet nga 200 MW në 900 MW
  • Optimizimi i dy sistemeve
  • Tregu i përbashkët i energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri
  • Përmirësimi i besueshmërisë së furnizimit
  • Ngritja e efiçiencës operacionale të termo centraleve
  • Mënjanimi i cikleve të shpeshta ‘start-stop’ për termo centralet
  • Mënjanimi i investimeve për nevoja të kapaciteteve rezervë
  • Ofrimi i shërbimeve ndihmëse

IMG 7936

IMG 7666

IMG 8161