31 Korrik 2015 - Së shpejti pritet stabilizimi i furnizimit me energji elektrike nga Nënstacioni 110/35 kV Gjakova 1

Pas sanimit të djeshëm të avarisë në transformatorin T1 në NS 110/35 kV Gjakova 1, si rezultat i temperaturave të larta dhe mbingarkesës, sot në ora 04:48 përsëri janë shfaqur probleme në transformatorin e njejtë (T1). Duke qenë se transformatori tjetër T2, është në rehabilim në kuadër të projektit të KOSTT për investime kapitale, si rrjedhojë ka ardhur deri te ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që furnizohen nga ky Nënstacion.

Me qëllim të stabilizimit sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike për qytetarët e komunës së Gjakovës, pas analizave dhe konsultimeve që i kanë realizuar menaxhmenti dhe ekipet profesionale të KOSTT edhe me kontraktorin, kanë vendosur që transformatori T2 i cili ka qenë në rehabilitim të kthehet në punë deri në sanimin e problemit në transformatorin T1.

Aktualisht po punohet intenzivisht në terren, dhe pritet që sot rreth orës 15:00 të kyçet në punë transformatori T2 dhe me këtë të stabilizohet furnizimi me energji elektrike në Gjakovë.

KOSTT sh.a kërkon mirëkuptim nga qytetarët e Gjakovës për kufizimet në furnizim me energji elektrike si pasojë e kësaj prishje.