19 Mars 2015 - Nënshkruhen kontratat për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë- Programi IV dhe V i Sektorit”

Sot me 19 Mars 2015, Drejtori Ekzekutiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu nënshkroi kontratat për implementimin e disa projekteve për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë- Programi IV dhe V i Sektorit”.
Implementimi i projekteve në fjalë do të mundësohet përmes kredisë komerciale afatgjate që KOSTT sh.a e ka siguruar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) me kushte kredituese të buta në vlerë prej € 23,5 milion nga e cila € 15,5 milion me periudhë kthyese prej 15 viteve dhe €8 milion me periudhë kthyese prej 40 viteve, si dhe financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej € 7.3 milion përmes programit IPA.
Projekti “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit, Programi IV dhe V i Sektorit”, përbëhet nga tri LOT-e:
LOT 1: Nënstacionet  - i cili do të implementohet nga kompania austriake SIEMENS përfshin projketet:

  • Zgjerimin e fushave të transformatorëve 400 kV dhe 110 kV në nënstacionet Ferizaj 2 dhe Peja 3
  • Zgjerimin e fushave të linjave 110 kV në nënstacionin Peja 3
  • Zëvendësimin e pesë (5) ndërprerësve 220 kV dhe dhjetë (10) ndërprerësve 110 kV në nënstacionin Pristina 4
  • Zëvendësimi i stabilimenteve ekzistuese të tipit AIS 110 kV me tetë (8) fusha SF6 GIS në nënstacionin NS 110/35/10 kv – Peja 1
  • Instalimi i sistemit të ri monitorues të komandimit të nënstacionit në nënstacionin NS 110/35/10 kV – Peja 1
  • Instalimi i sistemeve të matjes, përfshirë pajisjet matëse dhe transformatorët matës brenda sistemeve interkonektive 400 kV, 220 kV dhe 110 kV

Lot 2: Transformatorët – i cili do të implementohet nga kompania kroate Konçar Power Transformers, përfshin:

  • Furnizimin, instalimin dhe komisionimin e dy (2) autotransformatorëve të ri 400/110/10 kV, 300 MVA përfshirë bazamentin e transformatorit dhe gropëzën e vajit në nënstacionet NS 400/110/10 kV – Ferizaj 2 dhe NS 400/110/10 kV – Peja 3

Lot 3: Linjat e Transmisionit – i cili do të implementohet nga kompania kroate Dalekovod (Zagreb), përfshin:

  • Ri-ndërtimi i linjës së transmisionit 110 kV mes nënstacioneve Peja 3 dhe Peja 1 me një gjatësi totale rreth 27 km, nga sistemi i linjës njëfishe në atë dyfishe
  • Rehabilitimi i linjës ekzistuese 110 kV, mes nënstacioneve NS Peja 2 dhe NS Deçan me një gjatësi totale rreth 15 km
  • Zëvendësimi i përçuesve mbrojtës në linjat transmetuese interkonektive me kabllo optike – OPGW në gjatësi totale rreth 54 km

Nga momenti i fillimit të punimeve, implementimi i projekteve parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu theksoi: “Shërbimet, të cilat i realizon KOSTT sh.a si Operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, janë qenësore për funksionimin e tërësishëm të Sistemit Elektroenergjetik të Republikës së Kosovës dhe tregut të ardhshëm të energjisë elektrike. Prandaj, ne jemi të përkushtuar që në mënyrë të vazhdueshme të zhvillojmë dhe modernizojmë Sistemin Transmetues, i cili paraqet parakusht për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit tonë.”

IMG 4215

IMG 4241