10 Mars 2015 - Ministrat Stavileci dhe Gjiknuri vlerësojnë progresin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

Sot më 10 Mars 2015, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu priti në vizitë në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B, Ministrin për Zhvillim Ekonomik të Kosovës z.Blerand Stavileci dhe Ministrin e Energjetikës dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë z.Damjan Gjiknuri.
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z.Bejtullahu njoftoi ministrat me progresin e projektit të linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, i cili po implementohet sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Ministrat u njoftuan që deri më tani është realizuar 35 % e projektit nga ana e Kosovës. Janë ndërtuar 93 bazamente të shtyllave të tensionit të lartë, janë montuar 60 shtylla si dhe janë instaluar afër 12 km përçues. Gjithashtu edhe çështjet rreth shpronësimeve janë në fazën përfundimtare të përmbylljes së procesit të servitutit në segmentin 3.

Me këtë rast Ministi i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Stavileci u shpreh shumë i kënaqur me ecurinë e punimeve dhe theksoi “Ishit dëshmitarë se pothuajse 1/3 e projektit është përfunduar, shpresojmë që deri në fund të vitit të përfundojë pjesa e Kosovës dhe në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm të përfundojë pjesa e Shqipërisë”.
Ndërsa Ministri i Energjetikës dhe Industrisë së Shqipërisë z.Gjiknuri theksoi “Bërja dhe përfundimi i kësaj linje krijon atë damarin e nevojshëm dhe shtyllën kurrizore ku Sistemi do të ngritet dhe do të harmonizohet me politika të përbashkëta, strategji të përbashkëta dhe investime të përbashkëta”.
Qëllimi i vizitës në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B ishte njoftimi me progresin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri si dhe njoftimi me rëndësinë e Nënstacionit Kosova B i cili paraqet nyje të rëndësishme në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, me që aty lidhen të gjitha linjat interkonektive me shtetet fqinje si dhe linja ndërlidhese me gjeneratoret e Termocentralit Kosova B.
Nënstacioni 400/220 kV Kosova B gjithashtu paraqet pikënisjen e linjës 400 kV me Shqipërinë që lidhë këtë nënstacion me Nënstacionin Tirana 2.

unnamed

KOSTT Vizita e Ministrit Stavileci dhe Gjiknuri

Naim Bejtullahu Ministri Stavileci