31 Janar 2014 - Institucionet e Kosovës të përkushtuara për implementimin e Marrëveshjes për Energji Kosovë-Serbi

Sot, më 31 janar 2014, nën organizimin e përbashkët në mes të Zyrës së zv.Kryeministres së Kosovës znj.Edita Tahiri, KOSTT-it dhe KEDS-it, u mbajt Tryeza e rrumbullakët me përfaqësues të mediave, me temën: Marrëveshja për Energji Kosovë-Serbi. Paneli në përbërje të znj. Edita Tahiri, Zëvendëskryeministre e  Republikës së Kosovës, z. Naim Bejtullahu, Kryeshef Ekzekutiv, KOSTT dhe z. Vedi Yesilkilic, Drejtor i Përgjithshëm, KEDS, diskutoi rreth rëndësisë së Marrëveshjes për Energji, procesit të implementimit si dhe për rolin e insitucioneve përkatëse në gjithë këtë proces.

Fillimisht u konkludua se rëndësia primare e Marrëveshjes për Energji të arritur më 8 shtator 2013 në mes të Kryeministrit të Kosovës z.Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Serbisë z.Ivica Daçiç nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përkatësisht Baroneshës Catherine Ashton, është se janë vendosur marrëdhënie ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në sektorin e energjisë.

“Me marrëveshjen e energjisë hapet mundësia e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë sipas Traktatit të Energjisë. Kjo marrëveshje përfundimisht i shuan strukturat paralele në pjesën veriore të Republikës së Kosovës në fushën e energjisë elektrike, si dhe vendoset kufiri energjetik në mes të dyja shteteve. Po ashtu, hapet rruga për anëtarësimin e KOSTT-it në organizatat ndërkombëtare si dhe KEDS-it i mundësohet përfshirja e saj edhe në pjesën veriore”, deklaroi Zëvendëskryeministrja Tahiri.

Në vazhdim, znj.Edita Tahiri po ashtu deklaroi që plani aksional për zbatim të marrëveshjes është drejt finalizimit dhe presim që në takimin e rradhës të kryeministrave në Bruksel të marrë edhe miratimin e tyre për të filluar zbatimin.

Sipas Marrëveshjes, kufiri elektrik në mes të dy vendeve do të jetë i vendosur në kufirin gjeografik Kosovë-Serbi dhe Operatori i Sistemit të Transmisionit (KOSTT), njihet si i vetmi operator i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Me këtë Marrëveshje, KOSTT njihet ndërkombëtarisht, si dhe hapet rruga për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar relevant.

Me Marrëveshjen për Energji është krijuar baza për normalizimin e çështjeve në fushën e energjisë në mes të dy vendeve për çështjet që ndërlidhen me Sistemet e Transmisionit si dhe normalizimin e furnizimit me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket furnizimit me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës, i vetmi operator i licencuar nga ZRrE si furnizues publik  dhe për distribuim të energjisë elektrike është KEDS. “KEDS është operatori i vetëm i rrjetit të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike në Republikën e Kosovës sipas kornizës ligjore të përcaktuar nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Rrjedhimisht, KEDS është pronar i aseteve të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. KEDS, po ashtu zotohet se sipas kornizës ligjore të Republikës së Kosovës do të jetë pjesë aktive e zbatimit të marrëveshjes për energji në ato fusha ku ka përgjegjësi”, deklarojë z. Vedi Yesilkilic, Drejtor i Përgjithshëm në KEDS. “Me implementimin e Marrëveshjes për Energji, gjithashtu do të ndërpriten të gjitha ndërhyrjet e Serbisë në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, dhe do ti jipet fund shkeljeve në aspektin e çështjeve të transitit dhe të hyrave nga ndarja e kapaciteteve të interkoneksionit.”, deklaroi z. Naim Bejtullahu, Kryeshef Ekzekutiv në KOSTT. Sipas Marrëveshjes, brenda 3 muajve KOSTT-i dhe EMS-ja është parapa që të arrijnë Marrëveshjen e Operimit, ndërsa kërkesat e tjera brenda 6 muajve. Qëllimi i fundit i marrëveshjes është normalizimi i furnizimit me energji në pjesën veriore të Kosovës duke ndërprerë ndërhyrjet ilegale të operatorëve nga Serbia dhe nga operatorët lokal që veprojnë në këtë pjesë të territorit të Kosovës, duke nënkuptuar edhe pagesën për energjinë e konsumuar. Materializimi i Marrëveshjes për Energji është duke u zhvilluar nga  grupi i implementimit që është themeluar nga të dy vendet dhe sikurse Qeveria e Kosovës ashtu edhe KOSTT-i dhe KEDS-i janë të pëkushtuara në implementimin e saj.

IMG 33171