23 Shtator 2013 - Qeveria Gjermane akordon kredinë e dytë për zhvillimin e Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës

Sot më 23 Shtator 2013, Ministri i Financave, z. Besim Beqaj, Presidenti i parë i KfW për Evropën Juglindore dhe Turqinë z.Christoph Tiskens, znj.Sirje Porder, përfaqësuese e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu, në ambientet e Ministrisë së Financave në Prishtinë, nënshkruan Marrëveshjen për Kredi përmes së cilës do të bëhet financimi i disa projekteve për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Kjo është kredia e dytë komerciale që Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) i akordon Republikës së Kosovës, me qëllim të financimit të gjashtë projekteve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT sh.a).

Marrëveshja parasheh sigurimin e kredisë komerciale afatgjate nga KfW me kushte kredituese të buta në vlerë prej € 23,5 milion nga e cila € 15,5 milion me periudhë kthyese prej 15 viteve dhe €8 milion me periudhë kthyese prej 40 viteve, si dhe financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej € 7.3 milion përmes programit IPA.

Gatishmëria e KOSTT për të vazhduar me financimin  e projekteve zhvillimore përmes kredive komerciale, dëshmon se KOSTT është në rrugë të mirë drejt vet qëndrueshmërisë së plotë financiare.

Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Kredi, Kryeshefi Ekzektuiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu duke falënderuar Qeverinë Gjermane për kredinë e akorduar, si dhe Komisionin Evropian për grantin, theksoi ‘KfW vazhdon të jetë partner strategjik i KOSTT në përkushtimin për të zhvilluar mëtutje Sistemin e Transmisionit të Kosovës”.

Implementimi i projekteve në fjalë, që njëherit janë pjesë e Planit Zhvillimor të Transmisionit 2013-2022,  do të kenë ndikim të theksuar në sigurinë, besueshmërinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit, rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të energjisë elektrike, plotësimin e kriterit N-1 dhe ngritjen e performancës operuese të Sistemit të Transmisionit të Republikës së Kosovës.

KOSTT sh.a është e përkushtuar që në mënyrë të vazhdueshme të zhvillojë dhe modernizojë Sistemit Transmetues të Republikës së Kosovës, gjë që paraqet parakusht për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.

Projektet e KOSTT sh.a që do të financohen përmes kredisë

     1.  Instalimi i transformatorit të dytë 300MVA në NS 400kV Peja 3 dhe Ferizaj 2      
     2.  Instalimi i OPGW në linjat interkonektive     
     3.  Instalimi i grupeve matëse për linjat interkonektive     
     4.  Ndërtimi i një linje të re 110kV NS Peja 3 – NS Peja 1     
     5.  Ndërrimi i stabilimenteve të tensionit të lartë nga AIS në GIS në NS 110/35kV në Peja 1 dhe instalimi i fushave të reja të transformatorëve të tensionit të mesëm     
     6.  Revitalizimi i linjës 126/2 110kV NS Peja 2 – NS Deçan

IMG 2797

IMG 2808