14 Mars 2013 - Rrëzohet shtylla elektrike si pasojë e vjedhjes së konstruksioneve elektrike ndikuar dhe nga moti i ligë

Sot me 14 Mars 2013 në orët e hershme të mëngjesit (07:07 min) ka rënë nga puna linja e tensionit të lartë 220kV, LP 2298 që lidhë Nënstacionet Kosova B me –NS Drenas.
Rënia e linjës ka ndodhur pas rrëzimit të dy shtyllave të linjës elektrike që ndodhën si pasojë e vjedhjeve të konstruksioneve metalike të tyre gjithashtu ndikuar edhe nga moti i ligë që ka mbizotëruar.
Dëmet e shkaktuara llogariten të jenë të mëdha pasi që gjatë rrëzimit, shtyllat elektrike janë dëmtuar plotësisht dhe është e nevojshme që të ndërtohen të reja.
Dëme të ngjashme nga vjedhja e konstruksioneve metalike nga persona të papërgjegjshëm, janë prezente edhe në shtylla të tjera elektrike në të dy linjat e tensionit të lartë që lidhin NS Kosova B me NS Drenasin dhe me NS Prizrenin 2.

Ekipet e mirëmbajtjes të KOSTT sh.a  do të punojnë sot dhe nesër deri në orët e vona për të montuar konstruksionet metalike në shtyllat e tjera të rrezikuara, në mënyrë që të parandalohet rrëzimi I tyre.
KOSTT sh.a ka lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës të cilët po merren me hulumtimin e rastit.
KOSTT sh.a shpreh shqetësimin e thellë për këtë atakim të Sistemit Elektroenergjetik të vendit nga persona të papërgjegjshëm dhe, në qoftë se nuk ndërpriten dukuritë e tilla rrezikohet seriozisht furnizimi i qytetarëve me energji elektrike në të gjithë vendin, e për më tepër edhe siguria e vet qytetarëve.
Vlen të theksohet se krejt kjo situatë nuk ka pasur ndikim në furnizim të qytetarëve me energji elektrike, falë disponueshmërisë së linjës tjetër paralele.
Bashkëngjitur ju lutem gjeni edhe disa pamje nga dëmet e shkaktuara.

Shtylla e rrezuar
shtylla elektrike