21 Janar 2013 - Punime në kuadër të Projektit për Rehabilitimin e Stabilimenteve të Tensionit të Lartë në NS 110/35/10 kV – Ferizaj 1

Me datën 22 janar 2013 (e martë), me qëllim të krijimit të kushteve për punë në kuadër të Projektit për Rehabilitimin e Stabilimenteve të Tensionit të Lartë në NS 110/35/10 kV – Ferizaj 1, nga ora 10:00 deri në 14:00 KOSTT-i do të bëjë shkyçjen e largpërçuesit 110kV, nr. 118/5, që lidh nënstacionet NS 220/110 kV - Prishtina 4 me NS 110/10 kV - Ferizaj 1 dhe largpërçuesit 110 kV, nr. 179/2, që lidh nënstacionet NS 110/10 kV - Ferizaj 1 me NS 110/10 kV – Theranda, për të mundësuar “lidhjen e ngurtë” tëkëtyre dy largpërçuesve dhe praktikisht të shndërrohet në largpërçues 110 kV, që lidh direkt nënstacionet NS 220/110 kV -Prishtina 4 me NS 110/10 kV – Therandë.

Me këtë rast, nga data 22 janar 2013 deri më 15 shkurt 2013 në orën 16:00, do të bëhet rehabilitimi i fushës së largpërçuesit 110kV, nr. 179/2, në NS Ferizaj 1, ku do të bëhet ndërrimi i ndarësve, transformatorëve matës të rrymës (TMRr) dhe transformatorëve matës të tensionit (TMT) dhe qarqeve sekondare.  Për të realizuar demontimin e lidhjeve primare të kësaj fushe duhet bërë shkyçja e zbarave 110 kV në NS Ferizaj 1. Punimet në fjalë, do të ndikojnë në rritjen e besueshmërisë së operimit të Sistemit Transmetues të Republikës së Kosovës. KOSTT sh.a kërkon mirëkuptim nga qytetarët.