9 Dhjetor 2012 - Moti i ligë dhe erërat e forta shkaktojnë prishje kalimtare në rrjetin e transmetues të Kosovës

Si pasojë e erërave të forta dhe motit të ligë që ka mbizotëruar në vend, gjatë natës së mbrëmshme (8 dhjetor 2012), janë shkaktuar disa prishje kalimtare në rrjetin transmetues të energjisë elektrike në rajonin e Dukagjinit. Ekipet e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT sh.a), kanë ndërmarrë masa të menjëhershme dhe gjatë gjithë natës kanë punuar në eliminimin e prishjeve.

Gjatë natës së mbrëmshme, ka pasur rënie të largpërcuesit 110 kV LP 126/5 që lidhë nënstacionet NS Peja 1-NS Peja 2 dhe largpërcuesit 110 kV LP 126/3 që lidhë NS Peja 1-NS Peja 3 për shkak të keputjes së përcuesve të OPGW (kablli mbrojtës).
Ekipet e KOSTT aktualisht po punojnë intensivisht në rikthimin në punë të dy linjave të tensionit të lartë.
KOSTT sh.a kërkon mirëkuptim nga qytetarët për kufizimet në furnizim me energji elektrike që janë shkaktuar si pasojë e motit të ligë.