23 Nëntor 2011 - Përmirësohet kualiteti i furnizimit me energji elektrike për rajonin e Skenderajt me rrethinë

Sot me datë 23.11.2011 (E mërkurë), në ora 18.00, KOSTT sh.a do të lëshojë në punë provuese Nënstacionin NS 110/10 (20) kV Skenderaj, me autotransformator 31.5 MVA (mega volt amper), bashkë me linjën e dyfishtë 110 kV (kilovolt), që lidhë këtë nënstacion me nënstacionet tjera: NS 400/110 kV Peja 3 dhe NS 110/35 kV Vallaq.

Projekti i KOSTT sh.a për zgjerimin e NS Skenderaj prej nivelit 35/10 (20) kV në atë 110/10(20) kV është në kuadër të Paket Projektit Peja 3, që është bashkëfinancim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes Buxhetit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Gjermanisë, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Vlera e pjesës së projektit të Skenderajt kap shumën rreth 3.5 Mil EUR.
Me këtë investim, rajoni i Skenderajt për herë të parë bëhet me linjë të tensionit të lartë 110 kV si dhe me Nënstacion 110 kV me transformim 31.5 MVA, që njëherit janë parakushte për mundësimin e zhvillimit ekonomik dhe industrial të këtij rajoni.
Me zbatimin e projektit në fjalë do të bëhet përmirësimi i profilit të tensionit, me ç’rast përmirësohet dukshëm furnizimi me energji elektrike më kualitative për konsumatorët e Komunës së Skenderajt me rrethinë, si dhe arrihet rritja e sigurisë dhe besueshmërisë së Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT sh.a falënderon Qeverinë e Kosovës dhe të RF të Gjermanisë për financim të projektit, si dhe Autoritetet Komunale të Skenderajt si dhe qytetarët e rajonit të Skenderajt për mirëkuptim gjatë implementimit.