21 Tetor 2011 - Firmoset Marrëveshja e Mirëkuptimit në mes të KOSTT sh.a dhe MEPSO (Maqedoni)

Fadil Ismajli, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT dhe Drejtori Gjeneral i Operatorit të Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike të Maqedonisë (MEPSO) z.Dejan Boshkovski, në Shkup nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit (MM) i cili shpreh vullnetin e palëve për avansimin e bashkëpunimit në lëmin e interkoneksionit, mirëmbajtjes, implementim të projekteve në mes të dy kompanive energjetike dhe shkëmbimin e eksperiencave.

 

Fadil_Ismajli_KOSTT_dhe_Dejan_Boshkovski_MEPSO
fadil ismajli kostt dhe dejan boshkovski mepso_
Më konkretisht, me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të KOSTT dhe MEPSO krijohen parakushtet për fillimin e një seti të veprimeve që do ti paraprijnë realizimit të projektit të planifikuar për ndërtimin e linjës së re interkonektive 400 kV në mes të Kosovës dhe Maqedonisë  linjë e cila paraqet rëndësi të madhe si në aspektin bilateral ashtu edhe në atë rajonal. Nga aspekti bilateral, do të mundësojë shkëmbim më të madhë të energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Maqedonisë ndërkaq nga aspekti rajonal, do të ndikojë në ngritjen e  besueshmërisë dhe stabilitetit të Sistemit Elektroenergjetik të rajonit. Aktualisht, Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës dhe ai i Maqedonisë lidhen me një linjë interkonektive 400 kV (kilovolt).Përmes Memorandumit të Mirëkuptimit, të dy palët gjithashtu janë dakorduar për intensifikimin e aktiviteteve për vendosjen e fibrit optik në linjën ekzistuese interkonektive Kosovë-Maqedoni e cila mundëson kontrollimin dhe monitorimin si dhe bartjen e të dhënave në kohë reale. Nënshkrimi i MM në mes të KOSTT dhe MEPSO, vjen si rezultat i Memorandumit të Mirëkuptimit në sektorin e energjisë të nënshkruar vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, si dhe determinimit të përkushtimit për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, të bërë javën e kaluar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Besim Beqaj, si dhe Ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë, z.Valon Saraqini..  Për më tepër, në takimin i cili u realizua dje në Shkup, z.Ismajli dhe z.Boshkovski diskutuan edhe për mundësitë e avansimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të Operatorëve të Transmisionit të dy vendeve fqinje Kosovë-Maqedoni, me ç’rast kompanitë simotra u pajtuan që të fillojnë me negocimet për Marrëveshjen për Interkoneksion, që njëherit paraqet një hap drejt anëtarësimit të KOSTT në organizatën e Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike (ENTSO-E).