13 Tetor 2011 - Zgjidhja e ankesës së KOSTT ndaj Serbisë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për EJL, drejt finalizimit

Operatori i Transmisionit të Serbisë (EMS), duke u prezantuar si pronare, pa ndonjë bazë ligjore, e aseteve transmetuese të Kosovës tash e disa vite përfiton nga transiti i energjisë elektrike nëpër Kosovë si dhe nga shitja e së drejtës së shfrytëzimit të linjave interkonektive të Kosovës me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë tregtarëve të energjisë elektrike pa autorizim nga KOSTT.
EMS përfiton rreth 2 Milion € në vit në emër të transitit nëpër rrjetin e transmisionit të Republikës së Kosovës para e cila ishte dashur të i kthehej konsumatorëve,  kurse nga alokimi i kapaciteteve interkonektive të Kosovës përfiton rreth 3 Milion € në vit (gjithsej 5 milion € në vit në emër KOSTT).
Që nga themelimi i KOSTT ne mes të vitit 2006, menaxhmenti ka ndërmarrë veprime të shumta për zgjidhjen e problemit me Serbinë, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke filluar nga asociacionet që merren me çështje  teknike e deri te instancat më të larta të Komunitetit të Energjisë, si dhe të Komisionit Evropian. Hapat të cilët janë ndërmarrë deri më tani që nga ngritja e problemit kanë qenë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të operimit të sistemit elektrik rajonal dhe janë përqendruar në zgjidhjen e problemit duke e ngritur atë në institucionet relevante.

Në gusht të vitit 2008, KOSTT ka dorëzuar edhe ankesën formale në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore (SKE) për shkelje të Traktatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore (EJL) nga ana e Serbisë (SKE nr.ECS-3/08) dhe në shtator të vitit 2010, SKE hapi procedurën e kontestit ndaj Serbisë për shkelje të dispozitave të Traktatit.

Tani në fillim të tetorit SKE ka dorëzuar ‘’Reasoned Opinion/Mendim i bazuar’’ në të cilin konkludon se Republika e Serbisë, përmes EMS (OST e Serbisë) ka dështuar në implementimin/respektimin e Nenit 3 dhe 6 të Rregullores së KE-së 1228/2003 për kushtet e qasjes në rrjet për shkëmbimet ndërkufitare të energjisë elektrike. Kjo ka të bëjë me moskompenzimin e KOSTT si Operator i Sistemit të Transmisionit të Kosovës.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, i ka dhënë Serbisë afat 2 muaj që të korrigjojë shkeljet e identifikuara. Sipas Aktit Procedural të SKE no.2008/01/MC-EnC, varësisht nga përgjigjja apo mospërgjigja e Serbisë, SKE mund ta dërgoj kërkesën me propozimin për vendim në Këshillin e Ministrave.

Për të lexuar më tepër rreth ankesës së KOSTT në SKE (SKE nr.ECS-3/08), ju lutem klikoni në këtë link:

http://www.energy-community.org/portal/page/portal/ENC_HOME/ENERGY_COMMUNITY/Dispute_Settlement/03_08