KOSTT sh.a-Kompania e parë publike në vend që çertifikohet me Standardin ISO 9001:2008

 

Pas një angazhimi të përgjithshëm për vendosjen dhe zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT sh.a u çertifikua me Standardin ISO 9001:2008, nga kompania prestigjioze globale Bureau Veritas me seli në Paris.
Pas auditimit të jashtëm të sistemit të menaxhimit të organizatës nga ana e Bureau Veritas, është vërtetuar konformiteti me kërkesat e Standardit dhe me këtë KOSTT sh.a bëhet kompania e parë publike në Kosovë e cila çertifikohet me Standardin ISO 9001:2008.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Fadil Ismajli, me këtë rast theksoi “ Kjo e arritur e KOSTT, dëshmon që fokusi ynë qëndron në menaxhimin kualitativ dhe performansë të standardeve ndërkombëtare, por gjithnjë duke qenë të vendosur që në mënyrë të vazhdueshme të përcjellim dhe plotësojmë të priturat nga ana e klientëve apo palëve tona të interesit dhe punonjësve të kompanisë”.

Procesi i organizimit të punës në KOSTT në përputhje me standardin ISO 9001:2008 ka filluar dukshëm më herët, ndërkaq puna intensive me angazhimin e të gjithë punonjësve për vendosjen dhe zhvillimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë në kompani ka filluar në vitin e kaluar. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe një ekip i punonjësve të KOSTT janë trajnuar dhe certifikuar për auditorë të brendshëm për ISO 9001:2008, nga kompania vendore DCE.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a është kompani publike e cila merret me planifikimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. KOSTT është përgjegjës për transmisionin e energjisë elektrike të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV dhe po ashtu është përgjegjës për organizimin dhe administrimin e tregtimit të energjisë elektrike.