11 Tetor 2019 - Vajzat marrin lidershipin në KOSTT për të promovuar fuqi të barabarta, liri dhe përfaqësim - KOSTT i bashkohet iniciativës globale #GirlsTakeover

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vajzës, KOSTT sh.a në bashkëpunim me Shoqatën e Grave të Sektorit të Energjisë në Kosovë (SHGSEK/AWESK) i’u bashkua iniciativës globale #GirlsTakeOver, përmes së cilës vajzat e reja kërkojnë fuqi të barabarta, liri dhe përfaqësim.


Me qëllim të mbështetjes së vajzave për të thyer barrierat, që mund të paraqiten nga stereotipet dhe që mund të ndikojnë në portretizimin e vajzave dhe rolit të tyre në zhvillim ekonomik e posaçërisht në sektorin e energjisë, KOSTT sh.a duke i’u bashkuar iniciativës #GirlsTakeover ka synuar që të promovoj fuqizimin e vajzave/grave në vendimmarrje, profesionet në lëmin e energjetikës dhe në përgjithësi punësimin e barabartë të grave në sektorin e energjisë, në të cilin vajza/gruaja jep kontribut të pazëvendësueshëm në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Në aktivitetin i cili u organizua nga KOSTT, vajzat e moshës 14-18 vjeçare fillimisht patën rastin që të informohen më shumë për sektorin e energjisë dhe rolin e KOSTT në këtë sektor, si dhe zhvilluan një takim me Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT z. Ilir M. Shala dhe zv.Kryeshefin e KOSTT z.Kadri Kadriu. Në kuadër të takimit, ata zhvilluan bisedë inspiruese me vajzat në drejtim të rritjes së vetëdijes për të drejtat e tyre të barabarta si në shoqëri ashtu edhe për shkollim dhe synim për t’u avancuar në pozita vendim-marrëse në të ardhmen e tyre duke u bazuar në meritë. Z.Shala dhe z.Kadriu folën edhe për përparësitë e punës në sektorin e energjisë, ku njëherit punojnë edhe prindërit e vajzave që ishin pjesëmarrëse në këtë aktivitet.


“Isha i impresionuar me pikëpamjet që vajzat kishin për të ardhmen dhe interesimin që shfaqën për t’u informuar se si funksionon sektori i energjisë. Jam shumë i gëzuar që kemi një rini të shëndoshë, të zgjuar dhe të mirë informuar me trendët botërore dhe për më tepër jam i lumtur që i jemi bashkuar iniciativës botërore për të promovuar fuqizimin e vajzave”, theksoi Ilir M. Shala, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT sh.a. 
Përmes kampanjës #GirlsTakeover/ Vajzat marrin përsipër, vajzat e reja në të gjithë botën do të hyjnë në një rol udhëheqës me datë 11 tetor 2019 dhe në kuadër të organizimit që zhvilloi KOSTT me këtë rast, dy vajza 14 vjeçare Blinera dhe Nina, morën rolin udhëheqës në takimin i cili u zhvillua me Departamentin e Projekteve. Së bashku dhe me të gjitha vajzat pjesëmarrëse ato mësuan se si udhëhiqet një takim dhe u njoftuan me progresin e projekteve aktuale për zhvillimin e Sistemit të Transmetimit të Kosovës.


“Kjo ishte një përvojë që s’e kisha provuar asnjëherë, ishte interesante ndjenja e të qenurit udhëheqës ... nuk e di, mbase një ditë do të kem me të vërtetë një rol të tillë”, u shpreh Blienera me këtë rast.
Artina, Blerina, Blinera, Festa, Gresa, Mjellma, Nina, Sara dhe Vita ishin të lumtura që patën rastin të bëhen pjesë e kampanjës botërore për të promovuar fuqizimin e vajzave në të gjithë botën. Ato gjithashtu vizituan edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT. 
Që nga viti 2012, 11 tetori shënohet si Dita Ndërkombëtare e Vajzës, e cila synon që të adresojë nevojat dhe sfidat, me të cilat përballen vajzat dhe në anën tjetër promovon fuqizimin e vajzave dhe përmbushjen e të drejtave të tyre njerëzore.