31 Tetor 2018 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT sh.a merr pjesë në Samitin e Dytë të Investimeve Ndërkombëtare dhe Ekspozitën "Hidrocentralet e Ballkanit 2018"

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Ilir M. Shala, mori pjesë në Samitin e Dytë të Investimeve Ndërkombëtare dhe Ekspozitën "Hidrocentralet e Ballkanit 2018", në Budva të Malit të Zi, e cila është një platformë e dedikuar për të sjellë së bashku ministra, investitorë të mëdhenj, vendimmarrës të hidrocentraleve kryesore dhe iniciatorë të investimeve, si dhe rregullatorë në përpjekje të bashkërenduar për të zbatuar në mënyrë efikase projektet kyçe për ndërtimin dhe modernizimin e hidrocentraleve në të gjithë rajonin e Ballkanit.


Ne ditën e dytë, në kuadër të sesionit “Projektet për ndërtimin dhe renovimin e hidrocentraleve në vendet e Ballkanit”, z.Shala mbajti një prezantim me temën “Një perspektivë pse të investosh në Zonën e Kontrollit të Kosovës”, ku prezantoi të arriturat dhe investimet që janë bërë në Sistemin Transmetues të Kosovës për periudhën prej themelimit të KOSTT-it dhe që kanë rezultuar me rritjen e kapaciteteve të brendshme transmetuese, kapaciteteve interkonektive, rritjen e sigurisë, besueshmërisë dhe kualitetit të furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit, Integrimin e Burimeve të Ripërtëritshme në sistemin e transmisionit, Kapacitetet e BRE dhe të dhënat e energjisë dhe rëndësinë e zhvillimit të tregut të energjisë elektrike, si dhe rritjen e performansës së sistemit në përputhje me kërkesat teknike të ENTSO-E.


Si konluzion z. Shala potencoi edhe njëherë se Sistemi Transmetues i Kosovës është në gjendje të akomodojë edhe energjinë e prodhuar nga TC Kosova e Re, me kapacitet 450 MW, por edhe të gjeneratorëve tjerë nga BRE. Ai paraqiti edhe problemin e balansimit të sistemit elektroenergjetik, me futjen në operim të BRE. Po ashtu me theks të posaçëm, nga ky samit, i bëri thirrje institucioneve vendimmarrëse ndërkombëtare për ushtrimin e presionit ndaj palës serbe në implementimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, ku KOSTT bëhet anëtar i barabartë në ENTSO-E dhe Zonë/Bllok Rregullues. Bërja Zonë/Bllok Rregulles është parakusht për lëshimin në operim të Linjës 400 kV, Kosovë – Shqipëri.