20 Shtator 2019 - Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT merr pjesë në Javën për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë

Në ditën e dytë të konferencës e cila po mbahet në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë/Kosovo Sustainability Development Week, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir Shala ishte pjesë e panelit ku u diskutua rreth benefiteve nga integrimi rajonal i tregut të energjisë elektrike.


Me këtë rast z.Shala fillimisht foli rreth karakteristikave të tregjeve të energjisë në Evropën Juglindore si dhe rëndësisë dhe përfitimeve nga integrimi i këtyre tregjeve në shërbim të një të ardhme të qëndrueshme të sektorit të energjisë.


Duke prezentuar nismat aktuale rajonale në këtë drejtim, z.Shala vuri theks në projektin aktual të bashkimit të tregut të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri dhe benefitet e shumta që ofron kjo iniciativë duke marrë parasysh komplementaritetin e të dy sistemeve energjetike. “Rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike për të dyja vendet, diversifikimi i burimeve të energjisë e cila do të ndikojë gjithashtu edhe në përmirësimin e kontrollit të sistemit energjetik dhe rezervave të sistemit, si dhe tërheqja e investimeve në kapacitete të reja gjeneruese me theks në burime të ripërtërishme të energjisë (BRE), janë vetëm disa nga përfitimet nga tregu I përbashkët. Gjithashtu, së shpejti pritet të finalizohet edhe themelimi i Bursës Shqiptare të energjisë (APEX), ku KOSTT do të marrë pjesë me aksione të barabarta dhe së bashku me OST Shqipëri do të administrojnë tregjet e energjisë elektrike ditore dhe të bëjnë hapin e parë drejt integrimit në tregun rajonal” theksoi z.Shala.


Java për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë është konferencë vjetore që organizohet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian, Bashkëpunimin Gjerman për Zhvillim (GIZ) dhe Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).