3 Shtator 2019 - KOSTT sh.a hap dyert për tregun dy ditorë, në përkrahje të produkteve bujqësore vendore

Në vazhdën e promovimit të praktikave më të mira të përgjegjësisë shoqërore korporative si dhe përkushtimit për avansimin edhe më të lartë të imazhit të kompanisë, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut – KOSTT sh.a, me mbështetjen e Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Obiliqit (Kastriot), më datë 05 dhe 06 Shtator 2019, do të organizojë aktivitetin KOSTT sh.a hap dyert për tregun dy ditorë në përkrahje të produkteve bujqësore vendore”, i cili do të realizohet në kopshtin e selisë qendrore të KOSTT-it në Prishtinë si dhe njëkohësisht me datë 06 Shtator 2019 në hapësirat e ekipeve të mirëmbajtjes në Obiliq (Kastriot), ku do të krijojë mundësi duke lëshuar hapësirat pa pagesë/falas për prodhuesit e ndryshëm të produkteve bujqësore vendore, që të ofrojnë produktet e tyre për shitje, për punonjësit e KOSTT-it si dhe për të gjithë qytetarët e interesuar, duke kontribuar në zhvillimin dhe shpërndarjen e kulturës së blerjes së produkteve vendore.

Në mënyrë që ky aktivitet të zhvillohet konform masave administrative dhe ligjeve në fuqi, KOSTT sh.a paraprakisht ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke u kujdesur që produktet nga prodhuesit pjesëmarrës, të jenë vendore, natyrale/organike si dhe të posedojnë Certifikatën e Numrit Identifikues të Fermës-NIF Fermerët/Prodhuesit konform Udhëzimit Administrativ NR.07/2011 për Regjistrin e Fermerëve. 

Me këtë rast, KOSTT sh.a, fton qytetarët dhe institucionet, që veprojnë në afërsi të KOSTT ti bashkohen iniciativës në përkrahje të produkteve vendore në mbështetje të praktikave më të mira evropiane, duke i shërbyer komunitetit si dhe duke i bërë pjesë të pandashme të objektivave tona dhe njëkohësisht duke promovuar përgjegjësitë shoqërore korporative.