27 Qershor 2019 - KOSTT Inauguron edhe një Projekt madhor- Ndërtimi i Nënstacionit 220/10(20)kV Drenasi dhe Linjës së Dyfishtë Transmetuese 220kV

Sot, me datë 27 Qershor 2019 në praninë e personaliteteve të shumta të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësuesve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përfaqësueseve të Ambasadës Gjermane, u inaugurua edhe paket projekti “Ndërtimi i Nënstacionit 220/10(20)kV Drenasi dhe Linjës së Dyfishtë Transmetuese 220kV “.
Inaugurimi i këtij projekti vjen në vazhdën e sukseseve tjera të KOSTT-it dhe përkushtimin e të gjithë punonjësve për arritjen e standardeve më të larta profesionale, të cilat kanë dhëne dhe po japin rezultate të prekshme për të gjithë konsumatorët e Kosovës. Deri më tani Drenasi është furnizuar nga një nënstacion i tej ngarkuar 35kV, i cili është aset i KEDS-it, ndërsa me ndërtimin dhe lëshimin në punë të Nënstacionit Drenasi po kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për konsumatorët e Drenasit.

Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Ilir M. Shala në fjalën e tij të rastit theksoi ”ngjarja e sotme shënon edhe një zhvillim dhe sukses madhor për KOSTT-in, Rajonin e Drenasit dhe Republikën e Kosovës, paket projekt ky shumë i rëndësishëm për Sistemin Elektroenergjetik të Republikës së Kosovës. Përfundimi i punimeve dhe lëshimi në punë i këtij nënstacioni të bashkë financuar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në kuadër të projektit për Zhvillimin e Sistemit Transmetues dhe e ndërtuar me stabilimente të tensionit të lartë 220kV me izolim me gaz (Gas Insulated Switchgear – GIS), të cilat nga aspekti i sigurisë janë më të besueshme për operim me zero aksidente deri më tani dhe të përshtatshme për ambiente të banueshme në qytete dhe të cilat janë të më të përshtatshme për ambientin, do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese, rritjen e sigurisë dhe kualitetit të furnizimit me energji elektrike për rajonin e Mitrovicës dhe gjithë Republikën e Kosovës, duke zvogëluar humbjet në transmision dhe zvogëlimin e energjisë së pa furnizuar si rezultat i eliminimit të fyteve të ngushta në rrjetin e shpërndarjes dhe mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe industrial të rajonit të Drenasit”

Përfaqësuesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim z. Bekim Muarremi duke e përgëzuar KOSTT-in dhe menaxhmentin e KOSTT-it si një bashkëpunëtor shembullor gjatë implementimit të këtij projekti, uroj sukses dhe bashkëpunim me BERZH në të gjitha sferat si dhe projektet e ardhshme të KOSTT edhe në të ardhmën.
Në fjalën e tij Kryetari i Komunës së Drenasit z. Ramiz Lladrovci theksoi ”Jam shumë i lumtur që Nënstacioni në Drenas po përurohet, projekt ky i filluar në vitin 2017 nga ardhja ime në krye të Drenasit dhe që atëherë kam premtuar menaxhmentin e KOSTT-it që asnjë pengesë gjatë impletimit të këtij projekti madhor për Drenasin nuk do të këtë dhe prandaj edhe në afat rekord kemi përfunduar punimet dhe qytetarët e Drenasit dhe bizneset do të gëzojnë frytet e saj”

Përfaqësuesi i kompanisë kontraktuese ABB Italy, z. Rinaldo Pagani theksoi se ABB është shumë e lumtur të mbështesë zhvillimin e Republikës së Kosovës me teknologjinë më të mirë dhe më të avancuar të kompanisë ABB, por sot është dita të festojmë punën e të gjithë punonjësve të angazhuar nga Italia, Kroacia, Turqia, Shqipëria dhe Kosova si dhe të gjithë nën kontraktorët të cilët morën pjesë në implementimin e këtij projekti për dy vite. Përkundër udhëtimit sfidues gjatë implementimit të punimeve sot është dita të admirojmë atë që kemi arritur dhe se kompania ABB është e gatshme të bashkëpunoj me KOSTT dhe Republikën e Kosovës edhe në të ardhmen.

Ky projekt i cili kap vlerën prej 6.8 Milion Euro është bashkë financuar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe është realizuar në 3 (tre) LOT-a nga kontraktuesit: Konzorciumi ABB Italy dhe ABB Kroaci; Konzorciumi Hyundai Heavy Industry (Bullgari) dhe Ballkan Petrol Energy (Kosovë) dhe Romelectro (Rumani) si dhe kompania konsulente AF Consult (Zvicër), të cilëve i jemi mirënjohës për punën e bërë.

Në përmbyllje Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Shala, vazhdoj të falënderoj Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Komunën e Drenasit për mbështetjen e ofruar gjatë implementimit të këtij projekti dhe njëkohësisht përgëzoj stafin e KOSTT-it për angazhimin dhe punën e bërë gjatë fazës së përgatitjes së projektit dhe implementimit të tij.

1 Fjalimi i Kryeshefit Ekzekutiv te KOSTT Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
2 Fjalimi i Kryeshefit Ekzekutiv te KOSTT Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
3 Fjalimi i perfaqesuesit te BERZH z Bekim MuarremiCeremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
4 Fjalimi i Kryetarit te Komunes se Drenasit z Ramiz Lladrovci Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
5 Fjalimi i Perfaqesuesit te ABB Itali Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
6 Prerja e shiritit gjate Ceremonise se Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
7 Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi
8 Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Drenasi