19 Qershor 2019 - Inaugurohet Ndërtimi i Nënstacionit 110/10(20)kV Ilirida dhe Linjave Nëntokësore Transmetuese 110 kV

Sot, me datë 19 Qershor 2019 në praninë e delegacionit të lartë Qeveritar të Republikës së Kosovës, përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bankës Gjermane për Zhvillim KfW si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare u inaugurua paket projekti “Ndërtimi i Nënstacionit 110/10(20)kV Ilirida dhe Linjave Nëntokësore Transmetuese 110 kV“.

Përfundimi i punimeve dhe lëshimi në punë i këtij nënstacioni i bashkë financuar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në kuadër të projektit për Zhvillimin e Sistemit Transmetues, dhe e ndërtuar me stabilimente të tensionit të lartë me izolim me gaz (Gas Insulated Switchgear – GIS), të cilat nga aspekti i sigurisë janë më të besueshme për operim me zero aksidente deri më tani dhe të përshtatshme për ambiente të banueshme në qytete dhe të cilat janë të më të përshtatshme për ambientin, do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese, rritjen e sigurisë dhe kualitetit të furnizimit me energji elektrike për rajonin e Mitrovicës dhe gjithë Republikën e Kosovës, duke zvogëluar humbjet në transmision dhe zvogëlimin e energjisë së pa furnizuar si rezultat i eliminimit të fyteve të ngushta në rrjetin e shpërndarjes dhe mbështetje për zhvillimin ekonomik dhe industrial të rajonit të Mitrovicës.

Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Ilir M. Shala në fjalën e tij të rastit theksoi ” Inaugurimi i këtij projekti vjen në vazhdën e sukseseve tjera të KOSTT-it dhe përkushtimin e të gjithë punonjësve për arritjen e standardeve më të larta profesionale, të cilat kanë dhënë dhe po japin rezultate të prekshme për të gjithë konsumatorët e Kosovës. Deri më tani Mitrovica është furnizuar nga një nënstacion i vjetër dhe jo i besueshëm, i cili është aset i kompleksit Trepça, ndërsa me ndërtimin dhe lëshimin në punë të Nënstacionit Ilirida po përmbushim kriterin e sigurisë së rrjetit transmetues respektivisht  kriterit N-1, që mundëson funksionim stabil të sistemit transmetues  si dhe po kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për konsumatorët e Mitrovicës – jam i bindur se banorët e Mitrovicës do të vërejnë ndryshimin”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj duke e përgëzuar KOSTT-in dhe duke folur për rendësinë e ndërtimit të këtij nënstacioni i cili ndikon në rritjen e sigurisë së furnizimit të energjisë elektrike të qytetarëve të Mitrovicës theksoi “Sa mirë të bashkohemi në Mitrovicë për një vepër të tillë ekonomike në energji, kur jemi të vetëdijshëm sa vitale është energjia, jo vetëm për jetën ekonomike, por edhe për sigurinë. Kjo vepër që i dedikohet shërbimit me energji për konsumatorin,  e rregullon gjendjen me energji për 50 vjetët që vijnë. Për të pasur stabilitet një vend duhet të investohet në energji”.

Në fjalën e tij Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri theksoi ”Mitrovica ka pasur nevojë për paqe dhe stabilitet, të cilën e kemi ndërtuar së bashku me qytetarët dhe për këtë gjë jemi krenar. Falë stabilitetit kemi bërë që investitorët të kthehen të investojnë në Mitrovicë për arsye se puna e tyre tashmë është e sigurt dhe këtë e dëshmojnë projektet e shumta që janë realizuar në Mitrovicë. Ky nënstacion është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës, të cilët do furnizohen mjaftueshëm me energji elektrike, dhe projektet e tilla për qytetin e Mitrovicës po vazhdojnë edhe në këtë vit, ku do të kemi investime qindra milionëshe në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike

Ky projekt i cili kap vlerën prej 5.4 Milion Euro është bashkë financuar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe është realizuar në 3 (tre) LOT-a nga kontraktuesit: Konzorciumi ABB Italy dhe ABB Kroaci; Konzorciumi Hyundai Heavy Industry (Bullgari) dhe Ballkan Petrol Energy (Kosovë) dhe Romelectro (Rumani) si dhe kompania konsulente AF Consult (Zvicër), të cilëve i jemi mirënjohës për punën e bërë.

Në përmbyllje Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Shala gjithashtu falënderoj Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Komunën e Mitrovicës për mbështetjen e ofruar gjatë implementimit të këtij projekti dhe njëkohësisht përgëzoj stafin e KOSTT-it për angazhimin dhe punën e bërë gjatë fazës së përgatitjes së projektit dhe implementimit të tij.

Ceremonia e Inaugurimit te Nenstacionit Ilirida 1 2019
Fjalimi i Kryeshefit Ekzekutiv te KOSTT Ilir Shala 2 2019
Fjalimi i Kryeministrit te Republikes se Kosoves Ramush Haradinaj 3 2019
Fjalimi i Kryetarit te Komunes se Mitrovices 4 2019
Prerja e shiritit te kuq ne Nenstacionin Ilirida 5 2019
Vizite ne Stabilimentet e tensionit te larte GIS 6 2019
Vizite ne stabilimentet e tensionit te larte GIS 7 2019