2 Mars 2019 - KOSTT vazhdon me vizitat në kërkim të përkrahjes së të bërit Zonë/Bllok Rregullues i pavarur brenda Evropës Kontinentale

Në vazhdën e takimeve në funksion të përkrahjes së të bërit së KOSTT-it Zonë/Bllok Rregullues i pavarur brenda Evropës Kontinentale  dhe bashkëpunimit rajonal me operatorët e sistemeve transmetuese, menaxhmenti i lartë i KOSTT i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Ilir M. Shala, së bashku me bashkëpunëtorë sot realizuan vizitë në Operatorin e Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë.
Në takimin, i cili u realizua me përfaqësuesit e lartë të kompanisë homologe nga OST në krye me Administratorin z. Skerdi Drenova, u diskutua po ashtu edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në drejtim të sigurisë së operimit të sistemit të transmisionit të të dy vendeve dhe progresit në krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike si dhe procesit të themelimit të bursës shqiptare të energjisë (APEX), ku KOSTT do të jetë aksionar dhe në veçanti u diskutua rreth sfidave në drejtim të implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E, me të cilën është e ndërlidhur edhe vënia në operim e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Gjithashtu, u diskutua mbi shkëmbimin efikas të infrastrukturës në dispozicion të fibrave optike duke pasur parasysh që KOSTT është një nga OST-të e para nga Ballkani Perëndimorë që tashmë ka filluar me ofrimin e shërbimeve për shfrytëzimin me qira të rrjetës së lirë/të pashfrytëzuar të fibrave optik (dark fiber/të pa-ndriçuar) si masat e përbashkëta në drejtim të mbrojtjes kibernetike (cyber security) të dy sistemeve transmetuese.

Në përmbyllje, z. Shala falënderoi përzemërsisht z. Drenova për gatishmërinë për bashkëpunim dhe vlerësoi lartë zotimin e tij për përkrahjen e KOSTT-it për t’u bërë Zonë/Bllok Rregullues i pavarur në Evropën Kontinentale, qoftë përmes Marrëveshjes së Kyçjes me  ENTSO-E apo përmes nënshkrimit të dokumentit SAFA (Marrëveshja Kornizë e Zonës Sinkrone).

KOSTT Euro kontinental 1 2019
KOSTT Euro kontinental 2 2019
KOSTT euro kontinental 3 2019