15 Shkurt 2019 - KOSTT edhe një hap para anëtarësimit në ENTSO-E

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e tij, të mbajtur sot, me 15 shkurt 2019, ka marrë vendimin final për Certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST – KOSTT), pas nxjerrjes së Opinionit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE) në vendimin preliminar të Bordit të ZRRE, të marrë me 24 shtator 2018, me të cilin Bordi kishte vendosur se OST-KOSTT përmbushë kriteret për tu certifikuar si Operator i pavarur i Transmetimit të energjisë elektrike. Me Vendimin final për Certifikimin e OST-KOSTT, i cili mbështetet edhe në Opinionin e SKE, ZRRE-ja ka konfirmuar se ka ndarje të mjaftueshme të kontrollit mbi OST-në, prodhimin dhe/apo furnizimin e energjisë elektrike dhe që KOSTT vepron në përputhje me dispozitat e shthurjes, të përcaktuara me kapitujt IV dhe V të Direktivës 2009/72/EC1, kapituj këta të transpozuar në legjislacionin e Kosovës nëpërmjet nenit 11 të Ligjit për Energjinë Elektrike.

Certifikimi i KOSTT si OST rrjedh si obligim i Pakos së Tretë të Bashkimit Evropian për Energji (Rregullorja (EC) 714/2009 dhe Direktiva 72/2009/EC) të cilat janë transpozuar në Ligjin për energjinë elektrike të Republikës së Kosovës, Neni 10 deri 16, të cilat përcaktojnë një varg kushtesh për funksionet bazë dhe pavarësinë e OST, siç janë pronësia e aseteve të transmisionit, përmbushja e funksioneve të OST (mirëmbajtja dhe zhvillimi i rrjetit të transmisionit, operimi i sistemit në pajtim me kërkesat e Bashkimit Evropian, menaxhimi i kapaciteteve interkonektive, etj), pavarësia financiare, pavarësia menaxheriale, resurset e mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të operuar sistemin e transmisionit.

Rëndësi e certifikimit të KOSTT si OST dhe njohja e këtij certifikimi nga Sekretariati si institucion simotër i Komisionit Evropian, është qenësor për njohjen e KOSTT si OST nga ENTSO-E si një ndër parakushtet themelore për anëtarësim në ENTSO-E, dhe institucionet tjera evropiane, dhe do t’i mundësonte KOSTT operimin e pavarur nga Serbia dhe se njohja e kapaciteteve teknike, operative, financiare, menaxheriale, do të eliminon pretendimet e Serbisë që KOSTT nuk ka kapacitete për të operuar dhe menaxhuar sistemin elektroenergjetik të Kosovës.

Menaxhmenti i KOSTT , me këtë rast falënderoi dhe përgëzoi gjithë stafin e KOSTT të angazhuar në këtë aktivitet, me përkushtimin e vazhdueshëm në ngritjen e cilësisë së punës, përmbushjes së kërkesave ligjore, standardeve të sigurisë së operimit të sistemit në përputhje me udhëzimet e ENTSO-E dhe përmbushjen e kërkesave rregullative në drejtim të anëtarësimit të plotë në ENTSO-E.