22 Nëntor 2018 - KOSTT nënshkroi Letër Bashkëpunimi me USAID dhe Tetra Tech për zbatimin e programit për barazinë gjinore dhe fuqizimin e pozitës së grave në ndërmarrje

Gjatë kësaj jave, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT sh.a, i udhëhequr nga kryeshefi ekzekutiv, Ilir M. Shala, dhe bashkëpunëtorët e tij, e mirëpritën znj. Karen Stefiszyn dhe znj. Jasmine Boehm, përfaqësuese të Tetra Tech, të kontraktuar për programin e USAID "Engendering Utilities", për të zhvilluar diskutime të thella mbi mundësitë për avancimin e barazisë gjinore në KOSTT.

I filluar në vitin 2015, programi "Engendering Utilities" përfaqëson angazhimin e USAID-it për të promovuar një rrugë drejt qëndrueshmërisë në vendet në zhvillim duke nxitur inovacionin e ndërmarrjeve, rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, barazinë gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave. Programi fuqizon operacionet e sektorit të energjisë duke identifikuar dhe zbatuar praktikat më të mira të barazisë gjinore, në të njëjtën kohë duke ndihmuar ndërmarrjet në përmbushjen e objektivave të tyre të biznesit.

Me këtë rast, z. Shala nënshkroi një Letër Bashkëpunimi për të shfaqur përkushtimin e KOSTT-it për t'u bërë partner i projektit "Engendering Utilities". USAID-i dhe KOSTT-i do të punojnë së bashku për ta arritur barazinë gjinore brenda kompanisë me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes profesionale të grave, madje edhe në rolet udhëheqëse dhe vendimmarrëse. Gjithashtu, ata do të përpiqen që brenda KOSTT-it të krijojnë një fuqi punëtore më të balancuar në aspektin gjinor përmes zbatimit të ndërhyrjeve për arritjen e barazisë gjinore. Kjo do të çojë në një mjedis ku barazia gjinore është vlerë thelbësore dhe gratë mund të japin kontribut produktiv në arritjen e qëllimeve të KOSTT-it.

"Një numër gjithnjë e më i madh i dëshmive tregon se diversiteti gjinor në udhëheqje lidhet me performancë më të mirë të biznesit. Ne jemi shumë të ngazëllyer që do të bashkëpunojmë me KOSTT-in dhe që do t'i mbështesim ata drejt realizimit të një shërbimi që ofron diversitet gjinor", thanë znj. Bohm dhe znj. Stefiszyn.

foto usaid 2018 1
foto usaid 2018 2
foto usaid 2018 3