12 Nëntor 2018 - Informatë në lidhje me votimin nga ENTSO-E të parimeve operative për ndërprerjen e devijimeve në Evropën Kontinentale

KOSTT dëshiron të informoj opinionin publik rreth deklaratave të ndryshme në media në lidhje me procesin e votimit në ENTSO-E për zgjidhjen e përkohshme të çështjes së devijimeve të paqëllimshme, si pasojë e bllokimit të implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E nga pala serbe (operatori i sistemit të transmetimit të Serbisë – EMS)

 Për informimin e opinionit publik, me datë 25 tetor 2018 ENTSO-E (Grupi Regjional e Evropës Kontinentale ang. RGCE) ka përpiluar një propozim për zgjidhje të përkohshme teknike me qëllim të ndërprerjes së devijimeve të paqëllimshme. Në këtë kontekst ENTSO-E ka propozuar që KOSTT defakto të njihet si zonë/bllok rregullues i pavarur në hierarkinë operative të Evropës Kontinentale, por që prodhimi i energjisë elektrike nga HC Ujmani të shfrytëzohet për furnizimin e veriut të Kosovës.

KOSTT ka konsideruar se implementimi i propozimit të ENTSO-E do të ishte ndërhyrje në operimin normal të sistemit elektroenergjetik të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe do të cenonte operimin e aseteve shtetërore sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar kontrollin e prodhimit të HC Ujmani nga ana e Serbisë. 

Ju informojmë se paraprakisht ky propozim është refuzuar nga KOSTT me datë 26 tetor 2018 për shkak të përfshirjes së HC Ujmani në propozim, por gjithashtu është refuzuar edhe nga EMS për shkak të njohjes defakto të KOSTT-it si zonë/bllok rregullues nga ana e ENTSO-E. Ky propozim teknik i përkohshëm nga ENTSO-E është hedhur në votim nga kryesuesi i RGCE te të gjitha OST-t e Evropës Kontinentale. Propozimi i ENTSO-E nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim. Sipas informatave të KOSTT propozimi ka marrë 65% të votave nga 72% të nevojshme për miratim.

Edhe një herë i bëjmë me dije opinionit publik që Serbia dhe operatori serb EMS vazhdojnë obstruksionet ndaj KOSTT dhe Kosovës në lidhje me implementimin e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E, si dhe marrëveshjeve tjera ndërmjet KOSTT dhe EMS. Me ketë EMS vazhdon të përfitoj në mënyrë të kundërligjshme nga alokimi i kapaciteteve interkonektive të KOSTT dhe njëkohësisht pamundëson operimin e linjës 400kV Kosovë-Shqipëri. Mos implementimi i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E pengon zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe implementimin e masave të vendosura nga iniciativa WB6 (Procesi i Berlinit) si dhe shkakton dëme financiare në vlerë prej rreth 20 milion euro në vit.

I bëjmë apel të gjitha institucioneve vendimmarrëse ndërkombëtare që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Kyçjes nga pala serbe.