18 Qershor 2018 - Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike synohet të aktivizohet në vitin 2019

Në përputhje me Memorandumin e nënshkruar në nëntor të vitit 2017 në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT sh.a) janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për të themeluar Bursën Shqiptare të energjisë elektrike brenda këtij viti, me synimin që të jetë operative në vitin 2019.

Kjo u bë e ditur nga ana e zv.Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT z.Kadri Kadriu si dhe znj.Ana Moisiu, drejtore e tregut në OST Shqipëri në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin energjetik Shqipëri-Kosovë dhe roli i krijimit të bursës së përbashkët të energjisë në këtë proces", i cili u mbajt me 18 qershor 2018 në Prishtinë.

Në fjalën e tij të rastit, Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Valdrin Lluka theksoi që mos-zbatimi i Marrëveshjes për Energji nga ana e Serbisë është pengesë në drejtim të bashkimit të tregut të energjisë Kosovë-Shqipëri si dhe përfshirjen e KOSTT në bursën shqiptare të energjisë, çështje për zgjidhjen e së cilës Qeveria është duke punuar në mënyrë intenzive. Ministri Lluka paralajmëroi që ka lëvizje pozitive në këtë drejtim dhe pritet që deri në fund të vitit KOSTT të fillojë operimin si bllok i pavarur energjetik në përputhje me Marrëveshjen për Kyçje KOSTT/ENTSO-E, dhe rrjedhimisht në vitin 2019 bursa e energjisë të jetë aktive. 

Përkushtimin në drejtim të krijimit të bursës shqiptare e shprehu edhe zv.Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Republikës së Shqipërisë znj.Dorina Çinari.
Në kuadër të punimeve të Forumit u diskutuan benefitet nga krijimi i tregut të përbashkët të energjisë elektrike, aktivitetet aktuale në drejtim të krijimit të bursës shqiptare të energjisë elektrike si dhe u prezentuan praktikat më të mira ndërkombëtare në këto fusha. Njëkohësisht u bë thirrje për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë në drejtim të implementimit të Marrëveshjes së Energjisë, problem i cili u cilësua si barrierë kryesore për bashkimin e KOSTT në bursën e energjisë dhe për ecjen përpara të procesit të integrimit të tregut të energjisë elektrike.

Duke analizuar karakteristikat e të dyja sistemeve energjetike, në kuadër të forumit u konkludua që “Tregu i përbashkët i energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri do ti shërbejë rritjes së fleksibilitetit të operimit dhe përfitimit të përbashkët në një treg rajonal duke ulur kostot e importit të energjisë elektrike”.
Pjesëmarrës në këtë Forum ishin përfaqësues nga institucionet kyçe të sektorit nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për Evropën Jug-lindore, International Finance Corporation (IFC), USAID, Ambasada Norvegjeze, NordPool, KfW etj.

Bursa shqiptare 1
bursa shqiptare
Bursa shqiptare 2
Bura shqiptare 3