22 Mars 2018 - Menaxhmenti dhe Bordi i KOSTT pritën në takim Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik si dhe përfaqësues të KDI

Menaxhmenti i KOSTT sh.a në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Ilir Shala si dhe anëtarët e Bordit të KOSTT, pritën në takim kryetaren e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Republikës së Kosovës znj. Sala Berisha-Shala dhe anëtaren e Komisionit znj.Mimoza Kusari-Lila, si dhe përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Qëllimi i këtij takimi i cili u organizua nga KDI ishte informimi i drejtpërdrejt i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Energji të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të Dialogut të Brukselit dhe çështjen e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës.

Me këtë rast, përfaqësuesit e KOSTT njoftuan Komisionin Parlamentar në lidhje me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë si dhe me dëmet e vazhdueshme financiare që po i shkaktohen KOSTT-it dhe Kosovës në përgjithësi si pasojë e mos hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Kyçje në mes të KOSTT/ENTSO-E për shkak të mos-implementimit nga ana e Serbisë të obligimeve nga Marrëveshja për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, KOSTT kërkoi nga Komisioni Parlamentar që të ngrisin këtë çështje në Kuvend dhe të kërkojnë nga Qeveria që të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje të qëndrueshme.
Deputetet u zotuan se do të adresojnë sa më shpejtë këto çështje dhe do të kërkohet që çështja në fjalë të trajtohet me prioritet nga institucionet relevante.

KDI KOSTT 1
KDI KOSTT 2