25 Janar 2018 - Mbahet Dëgjim Publik për projektet e KOSTT sh.a në Therandë, Graçanicë dhe Fushë Kosovë

Nën organizimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT sh.a) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vazhduan të mbahen Dëgjime Publike, për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projekteve në kuadër të projektit për Zhvillimin e Sistemit Transmetues të Energjisë Elektrike të Republikës së Kosovës : LOT 3- Largpërçuesit dhe kabllot transmetuese.

Me datë 24 Janar 2018, në Komunën e Therandes u prezantua projekti për ndërtimin e linjës ajrore 110kV Therandë- Rahovec, zonat kadastrale:Rahovec, Hoqë e Madhe, Zoqishtë, Optereshushë dhe Brestovc, Komuna e Rahovecit dhe zonat kadastrale Suharekë, Reshtan, Studentqan, Samadrexhë të Komunës së Suharekës, e cila parasheh ndërtimin e linjës ajrore prej 16.5 km, nga këto 26 shtylla në Komunen e Therandes dhe 31 shtylla në Komunën e Rahovecit. Gjithashtu me datë 25 Janar 2018, në Komunën e Graçanicës dhe në Komunën e Fushë Kosovës u prezantua projekti për ndërtimin e linjës ajrore dhe kabllore 110kV për kyçjen e Nënstacionit Fushë Kosovë, zona kadastrale Fushë Kosovë, Komuna e Fushë Kosovës dhe zona kadastrale Uglarë, Komuna e Graqanicës, e cila parasheh ndërtimin e 3 km linjë ajrore dhe 1.5 km linjë nëntokësore, ku nga këto 9 në Komunën e Graçanicës dhe 4 në Komunën e Fushë Kosovës.

Gjatë këtyre seancave dëgjimore në të cilat morën pjesë qytetarët e komunave respektive dhe përfaqësuesit e institucioneve qendrore dhe të komunave të Therandës, Graçanicës dhe
Fushë Kosovës, qytetarët/institucionet e prekur nga këto shpronësime/servitute fillimisht u informuan për së afërmi me projektin dhe mbi rëndësinë që ka realizimi i këtyre projekteve për sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike për komunat e tyre i cili u prezantua nga përfaqësues të KOSTT sh.a, si dhe me të gjitha procedurat që duhet të i ndërmarin pas këtyre dëgjimeve publike.

Projekti për Zhvillimin e Sistemit Transmetues të Energjisë Elektrike të Republikës së Kosovës është projekt i KOSTT sh.a dhe bashkë-financohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Therande
Foto Gracanice
Foto F Kosove